Dy propozime që lidhen me vendosjen e fashës 800 kWh për familjet shqiptare, do të diskutohen për të gjetur një zgjidhje nga qeveria dhe Ministria e Energjisë, për shkak të rritjes së lartë të çmimit të energjisë.
Ka qenë ministrja Belinda Balluku e cila tha, se çmimi energjisë është rritur frikshëm në 1040 euro, ndaj marrja e masave për të mbrojtur qytetarët është mëse e nevojshme.
Balluku u pyet nëse do të rritet çmimi i energjisë pas 1 tetorit, për familjet që harxhojnë mbi tavanin 800 kilovat orë energji elektrike në muaj, ndërsa tha:
“Është bërë studimi se sa familje preken dhe sa do jetë ky çmim. Mbrëmë në orën 20:00 çmimi në bursën hungareze që i referohemi arriti në 1040 euro për MWh. Mund ta llogarisni vetë sesa është kilovati për orë dhe nëse do ti ekspozonim qytetarët tanë përballë këtyre çmimeve do të ishte e pamundur, megjithatë fasha 800 kWh ka disa propozime nga Operatori i Shpërndarjes dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilat do të diskutohen nga Këshilli i Ministrave për t’u zgjedhur ajo që do të jetë më e mirë edhe për të optimizuar financat e sektorit, por edhe për të diferencuar mburojën sociale që i japim qytetarit për nevojat që një familje sa i përket energjisë elektrike dhe pastaj ata qytetarë që vendosin të shpenzojnë më shumë por që mbetet në diskrecionin e tyre për të paguar një çmim më të lartë”, tha Balluku.
/abcnews.al/