100 fusha për Tiranën, FSHF “ia kalon topin” qeverisë

schedule14:47 - 25 Shtator, 2019

schedule 14:47 - 25 Shtator, 2019

FSHF i propozon qeverisë dhe bashkisë për ndërtimin e plot 100 fushave të futbollit në qytetin e Tiranës. Fillimisht u tha se do të kërkoheshin 30. Kaq ishte projekti i Federatës Shqiptare të Futbollit për fushat në kryeqytetin e vendit Tiranë, njoftuar në 27 korrik nga “Abc News”.

Sot, në fund të shtatorit, institucioni i presidentit Duka e ka rritur pretendimin, dhe i ka kërkuar qeverisë shqiptare dhe Bashkisë së Tiranës që të ndërtojnë së bashku 100 fusha në qendrën më të madhe të banuar në vend.

Kjo shifër i afrohet edhe më shumë asaj që deklaroi pikërisht Duka kohë më parë në intervistën për Abc News-in. Nuk dihet saktësisht sesa mund të jetë kostoja e projektit të rishikuar, por mund të bëhet një krahasim, pasi për 30 fusha ishin parashikuar 6 milionë euro, gjë që do të thotë se tani mund të arrihet në 20 milionë.

Fillimisht u njoftua se mes terreneve që janë projektuar të bëhen funksionalë, janë fusha në Qytetin Studenti, aneksi i ish-stadiumit “Qemal Stafa”, aneksi i stadiumit “Selman Stërmasi”, fusha tek “Ali Demi”, së cilës për momentin i është ndryshuar destinacioni, si dhe terrene në Laprakë, Kombinat apo lagje të tjera.

Burimet pranë FSHF bëjnë me dije së fundmi, se synimi është të ndërtohen fusha të reja, më shumë sesa të rikonstruktohen të vjetrat. Federata e ka dërguar në Bashki projektin e saj, me kërkesën që organi i qeverisjes vendore të gjejë hapësira për disa nga fushat që duhen ndërtuar.

Nuk dihet sesa i realizueshëm mund të jetë ky projekt, që mund të quhet edhe i vonuar, ndërsa hapësirat e lira në kryeqytet vazhdojnë të zvogëlohen me ndërtime që po bëhen tek ajo që quhej “Fusha e begsave”, apo edhe në rrethina.

Përveç Tiranës, Federata Shqiptare e Futbollit ka në plan t’u propozojë të gjitha bashkive në vend që të krijojnë projekte të përbashkëta për infrastrukturën, me qëllim shtimin dhe përmirësimin e terreneve në Shqipëri. / ABC News Albania 24/7