Ngjarja e rëndë me 10-vjeçarin Nasir Ymeri ka tronditur mbarë opinionin në Shkodër, por në mënyrë të veçantë stafin e shkollës “ At Gjon Karma” në Gurin e Zi. Mësuesja kujdestare Roberta Naraci ka treguar për mediat se Nasiri nuk kishte shfaqur probleme por se ishte një fëmijë lider në klasë.
“Nasiri ishte nxënës i imi që prej klasës së parë. Mund ta përshkruaj si një nxënës me arritje të mira, me tipare të një lideri. Një fëmijë shumë i shkathët. Gëzonte respektin e nxënësve dhe mësuesve. Shumë sjellje e mirë. Asnjëherë nuk ka shfaqur probleme.”
Ndërsa, për punonjësen sociale Rajmonda Zenelaj, rasti është tejet i rëndë ndërsa ajo shton se prindërit duhet të tregojnë më tepër kujdes me fëmijët.
“Nga vëzhgimet më përpara, ai nuk ka shfaqur asnjëherë shenja agresiviteti apo depresioni. Është rënie pre e rrjeteve sociale,” thotë ajo.
10-vjeçari Ymeri ishte duke luajtur ne katin e dytë të banesës ku edhe u gjet pa shenja jete. Ai mësohet se ka tentuar të bëjë një video duke bërë akrobaci, por kjo ka rezultuar fatale. sb/abcnews.al/