Mediat në Kosovë raportojnë se sipas Zv/Kryeministrit të vendit Enver Hoxhaj pritet që 10 shtete të tërheqin njohjen e pavarësisë së vendit. Por një deklaratë e tillë është përgënjeshtruar nga Ministria e Jashtme.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ditë më parë deklaroi se së shpejti 10 shtete të botës mund të tërheqin njohjen ndaj Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme e ka kundërshtuar një gjë të tillë, ndërsa ish-drejtues të diplomacisë kosovare e fajësojnë po këtë dikaster qeveritar për tërheqje dhe mos sjellje të njohjeve të reja për Kosovën, shkruan gazeta “Zëri”.
Ndërkohë prej gati 18 muajsh, Kosova nuk ka marrë njohje të re nga asnjë shtet i botës. Kosova është njohur nga 116 shtete, por disa prej tyre, më saktësisht 13 shtete kanë deklaruar se e kanë rishikuar vendimin për njohje dhe rrjedhimisht e kanë tërhequr atë.
Burime të Ministrisë së Jashtme thanë për “Zërin” se Kosova nuk ka marrë asnjë paralajmërim nga ndonjë shtet për tërheqje të njohjes, duke shtuar se edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Çekisë i ka mohuar deklaratat e presidentit të saj Milos Zeman, për mundësinë e tërheqjes së njohjes.
Megjithatë, sipas së Drejtës Ndërkombëtare Publike, njohja është akt i njëanshëm juridik, ndërkombëtar, i parevokueshëm, që nënkupton se ajo nuk mund të tërhiqet./ABC News Albania 24/7