Zemërim i madh mes klubeve të Premier League. Edhe pse Jurgen Klopp, Pep Guardiola e ndonjë tjetër publikisht janë shprehur se është absurde që nuk u miratua që edhe këtë sezon të lejoheshin 5 zëvendësime, ky rregull mbetet i pandryshuar.
Ditën e djeshme ka pasur një takim mes 20 aksionerëve të klubeve dhe pati një përpjekje që në vazhdim të sezonit të lejoheshin pesë zëvendësime. Dhjetë klube ishin kundër këtij vendimi, pasi mendojnë se do të përfitonin vetëm ato ekipe me organikë të zgjeruar me lojtarë.
Aston Villa, Burnley, Crystal Palace, Fulham, Leicester, Leeds, Newcastle, Sheffield United, West Ham dhe Wolves u shprehën kundër dhe në votim kaloi vetëm shtimi i lojtarëve të gatshëm për zëvendësim, teksa nga shtatë u bë nëntë.
Kjo është hera e tretë që bie poshtë kërkesa për shtimin e numrit të zëvendësimeve, nga tre në pesë. Nga kampionatet e mëdha europiane vetëm Premier League vijon me 3 zëvendësime, edhe pse FIFA ua la në dorë ligave të vendosnin dhe mund t’i çonin ato në pesë. /abcnews.al