10 ditë nga tërmeti, Basha: Nuk ka kohë për të humbur, të shpërndahen urgjentisht fondet

schedule15:29 - 5 Dhjetor, 2019

schedule 15:29 - 5 Dhjetor, 2019

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në rrjetin social “Facebook” shkruan se gjatë ditës së sotme është takuar me familjet e prekura nga tërmeti në Lezhe. Basha thotë se duhet të shtohen urgjentisht grupet e vlerësimit për shkak se banorët duhet të dinë nëse mund të rikthehen në banesat e tyre apo jo.

“Ka nevojë urgjente të shtohen grupet e vlerësimit. Edhe pse kanë kaluar 10 ditë nga tërmeti, ende në shumë banesa nuk është bërë vlerësimi duke lënë banorët në pasiguri”, shkruan Basha.

Statusi:

Sot në Lezhë takova banorë që janë në dilemë të rikthehen apo jo në banesat e tyre të dëmtuara sepse ende nuk është bërë vlerësimi përfundimtar nëse janë të banueshme.

Është shumë e rëndësishme të bëhet gjithçka për të zbutur tronditjen e madhe që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit dhe të rikuperojmë pasojat që la pas në mijëra banesa të dëmtuara dhe të shkatërruara.

Ka nevojë urgjente të shtohen grupet e vlerësimit. Edhe pse kanë kaluar 10 ditë nga tërmeti, ende në shumë banesa nuk është bërë vlerësimi duke lënë banorët në pasiguri.

Realiteti nuk ndryshon duke e mohuar, por duke u përballur me të dhe duke dhënë zgjidhje. Zgjidhja fillon që nga ndihmat emergjente për të cilat banorët kanë nevojë, e deri te çertifikimi zyrtar i banesave.

Vëmendja në këto ditë të vështira për vendin, duhet të shkojë te profesionistët e vërtetë, sepse fatmirësisht vendi ynë ka shumë inxhinierë të zotë, por ka munguar vullneti për ti vënë në punë. Nuk ka kohë për të humbur! Është e pakuptueshme mosangazhimi i shumë inxhinierëve që kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar vullnetarisht!

Duhet urgjentisht të alokohen dhe shpërndahen fonde për familjet në zonat rurale në mënyrë që të nisin riparimin dhe rindërtimin e shtëpive të dëmtuara. Qindra milionat e ndara për oligarkët dhe që nuk kanë asnjë impakt në jetën e qytetarëve duhet tu kalojnë njerëzve të mbetur pa strehë, ndërsa moti është ftohur, dhe pritet të intensifikohen reshjet./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!