Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar në seancën e kësaj të hëne që të futet në rend të ditës ndryshimi i rregullores së Kuvendit, që ia mundëson deputetëve mbajtjen e seancave nga largësia, për shkak të shtimit të numrit të personave të prekur me koronavirus.
Propozimin në emër të LDK-së e ka bërë deputetja Besa Gaxherri, e cila ka theksuar se deri më tani ka shkuar në 10 numri i deputetëve të infektuar me Covid në Kosovë.
“Në emër të LDK’së e ngre propozimin tuaj si mocion që ne ta ndryshojmë rregulloren e Kuvendit dhe të kemi mundësi që të punojmë nga largësia, për shkak se deri më tani 10 deputetë janë të infektuar, unë besoj se një numër më i madh prej nesh janë të infektuar. Të takohen përfaqësuesit e grupeve parlamentare me një tekst të thjeshtë që seanca të mbahet nga largësia për ndonjë afat të caktuar kohor. Ju kisha lutë znj.kryetare dhe juve deputetë që ne sot ta marrim këtë veprim ta ndryshojmë rregulloren dhe të ia japim mundësinë vetes që mos të ngecin proceset siç ishte propozimi që bëri kolegia”, është shprehur deputetja.
Ndërkohë nga ana tjetër kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka deklaruar se kjo është një çështje që ajo e kishte ngritur që nga muaji mars.
“Lidhur me përpjekjet që janë bërë për ndryshim të rregullores ka qenë propozimi që nga marsi që të mbahen seancat online. Për komisionet kjo mundësi ekziston, ne po i mbajmë mbledhjet e kryesisë përmes platformës ZOOM. Për seancë duhet patjetër të ndryshojë rregullorja. Mua më është dashur konsensusi i grupeve parlamentare”, tha Osmani./abcnews.al