1 vit betejë për privatin, deklaratat e Ramës dhe Veliajt: Nuk kemi lekë ta bëjmë vetë Teatrin

schedule13:47 / 27/02/2020

 Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj u përballën në dy vjet me artistët kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Nga ana tjetër, për gati një vit u përballën edhe me opozitën dhe Presidentin, duke mbrojtur ndërtimin e teatrit të ri nga një kompani private, si e vetmja formë, pasi shtetit i mungonin paratë.

Ky është njëri prej deklarimeve të kryeministrit Rama në 30 korrik 2019, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët.

 “Ne duam të ndërtojmë teatrin e ri. Nuk ndërtohet dot me fondet e buxhetit tonë. Është një operacion me kosto të lartë. Buxheti për të ndërtuar teatrin është shumë herë më i madh se i gjithë buxheti i shtetit për kulturën. Bëjmë një këmbim. Është PPP ku ne themi bashkohemi me truallin tënd dhe ndërto atë që duhet për zhvillim dhe ndërto teatrin. Në fillim ndërto teatrin dhe bëj çfarë ke për të bërë,” tha Rama.

E njëjta tezë u mbrojt fort nga kryebashkiaku Veliaj, i cili artikuloi edhe fondin e nevojshëm për këtë investim.

“Ne nuk i kemi 30 milionë euro, ndaj po i kërkojmë këtë interes privatit, dhe interesi ynë është godina e teatrit”, tha Veliaj në qershorin e vitin 2018.

Tashmë bashkia thotë se teatri i ri do të ndërtohet me paratë e shtetit. Qeveria ende nuk është shprehur se sa mund të kushtojë ky projekt, dhe as se kur dhe ku do t’i gjejë këto para. Qeveria deklaronte se nuk e përballonte dot këtë barrë financiare as një vit më parë, ndërsa tani manovrat me portofolin shtetëror janë më të vështira prej dëmeve të tërmetit./abcnews.al

schedule13:47 / 27/02/2020