Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda e ftuar në studion e Enkel Demit, “Abc-ja e mëngjesit”, foli për sfidat e qeverisë në qarkun e Durrësit, 1 muaj pas termetit tragjik të 26 Nëntorit. Aktualisht janë 6 mijë banorë të fshatrave që jetojnë në çadra, ndërsa 4 mijë banorë të pastrehë që do duhet të dalin nga hotelet në fund të janarit. Kjo kategori, tha Voda, duhet të aplikojnë për bonus qiraje.
Enkel Demi solli dëshmitë e banorëve të Durrësit, të cilët shprehen se amullia vazhdon, pasi askush nuk i orienton nëse duhet të hyjnë në banesa apo jo.
Rovena Voda u përgjigj: Jam dakord, sepse njerëzit do të duhet të orientohen drejt. Fokusi ynë i parë ka qenë kërkim-shpëtimi që fatkeqësisht u mbyll me 51 të vdekur por edhe 49 të shpëtuar. Faza e dytë është akomodimi i njerëzve. Aktualisht kemi mbi 4 mijë qytetarë të akomuduar në hotele, 6 mijë banorë nëpër fshatra që jetojnë nëpër çadra. Furnizimi me çadra dimërore është mbyllur në Bubq, jemi duke punuar në zonën e Ishmit, që është zona rurale më e largët, për ti pajisur të gjithë banorët me çadra dimërore. Një pjesë e vogël banorësh na ka mbetur ende, por besojmë se brenda kësaj jave do u çojmë cadrat dimërore. Në Manzë vendosëm konteniere, janë aktualisht, 103 në konteniere, por ka edhe shumë banorë në çadra. Ne po shpërndajmë çadra dimërore, por kemi ende sfidë atje për të plotësuar gjithë nevojat e banorëve për çadra dimërore, termike.
Shembjet
Rovena Voda: Sa i përket inspektime; Janë aktualisht 59 inxhinerë shqiptarë në terren vetëm në Durrës, po kështu dy ekipe të huaja, çeke dhe franceze që ndodhen në terren. Vlerësimi i objekteve është bërë sipas një modeli (formulari) standard të BE dhe BB. Pjesa më e madhe e godinave të dëmtuara rëndë dhe shumë rëndë janë inspektuar në Durrës. Janë kryer 24 mijë inspektime në Durrës, prej 42 mijë banesash që janë në total. Për këto inspektime jemi bazuar në kërkesat e vetë qytetareve dhe të njësive administrative.
Sa i përket shembjeve deri më tani janë shembur 30 objekte vetem në Durrës dhe janë në listë për tu shembur 90 objekte të tjera, kryesisht 1-3 kate.
Në formularin e ri, objektet e kategorizuara DS4 do të thotë se ka dëme mesatare dhe tepër të rënda, por objekti mund të ruhet. Pra objektet DS$ do të rikonstruktohen në bazë të një projekti të mirëfilltë dhe nga inxhinierë të licensuar. Klasifikimi DS5 do të thotë se objekti është për shembje.
Sa i përket, rimbursimit, zv/ministrja tha se “kjo fazë do kërkojë kohë, sepse është pjesë e planit të rindërtimit dhe për këtë do të presim edhe konferecen e donatorëve”.
Demi: Ka shumë banorë që ankohen sepse nuk kanë një akt-konstatimi?
Voda: Banorët mund të marrin një kopje të akt-konstatimit pranë Bashkisë së Durrësit dhe më pas pranë zyrës së urbanistikës për të marrë leje. Banorët që i kanë banesat e kategorizuara si DS4 dhe DS5 do të marrin bonusin e qirasë.
Bonusi i Qirasë
Demi: Por situata është emergjente sepse në fund të janarit do të dalin banorët e strehuar në hotele?
Voda: Unë mendoj se këtu po flas si zyrtare e shtetit por edhe si juriste. Shteti ka për detyrë tu gjendet pranë, duke iu ofruar standardin minimum, sepse akomodimi në hotel ka qenë një standard maksimal. Ata që dalin nga hotlet duket të shkojnë në bashki të aplikojnë për bonusin e qirasë.
Bonusi është 200 mijë (të vjetra), pjesën tjeter mund ta plotësojnë duke vendosur para vetë nga xhepi.
Demi: Po ata që nuk kanë mundësi të shtojnë para nga xhepi, sepse kjo situatë mund t’iu kthehet në bombë sociale?
Voda: Njerëzve u kemi thënë se është hequr kontrata e qirasë si kriter, në mënyrë që të akomodohen edhe te të afërmit. Pra nëse më parë një nga dokumentat që duhet të dorëzonin në bashki ishte kontrata e qirasë, ka 5 ditë që ky kriter është hequr. Njerëzit mund të marrim shtëpi me qira ku të kenë dëshirë dhe mund të akomodohen ku të kenë dëshirë dhe do u kërkohet vetëm akt-konstatimi se banesa është e dëmtuar rëndë, karta e identitetit dhe gjendja familajre. Çdo muaj u hidhen paratë në bankë për bonusin e qirasë.
Demi: Në të gjitha intervistat që kemi marrë banorët janë shprehur se nuk kemi mundësi të plotësojmë lekët e qirasë sepse çmimet janë rritur pas termetit?
Voda: Ne do ta kuptojmë nëse do kthehet në bombë sociale do të kuptohet nga dyndja para bashkise, njësivë bashkiake, etj. Këshilli bashkiak ka vendosur këtë shumë por mund të shihet edhe mundësia për ta ndryshuar. Janë dhënë 50 milionë lek (të reja) për bonus qiraje në qytetin e Durrësit. Ky fond është deri më datën 31 janar. Më pas do të jepen fonde të tjera për bonus qiraje. /abcnews.al