​Hoti nga foltorja e Kuvendit: Nuk do të ketë dialog teknik me Serbinë!

schedule19:46 - 12 Tetor, 2020

schedule 19:46 - 12 Tetor, 2020

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka ripërsëritur sot, ndërsa fliste në Kuvend se nuk do të ketë asnjëherë dialog teknik me Serbinë. Hoti shtoi se Kosova ha hyrë në proces të bisedimeve vetëm për njohje reciproke.

Ai tha gjithashtu se marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi do të jetë marrëveshje e parimeve për normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve pas njohjes reciproke.

“Dua ta rikonfirmoj se nuk ka dhe nuk do të ketë dialog teknik siç pretendohet në kërkesën për interpelancë. Kosova ka hy në këtë proces vetëm për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore. Për të gjitha temat që diskutohen në Bruksel vlen parimi se asgjë nuk dakordohemi derisa nuk dakordohemi për të gjitha çështjet. Pra, asgjë nuk nënshkruhet derisa të dakordohet marrëveshja e plotë përfundimtare ligjërisht e obligueshme që përfshin njohjen reciproke. Marrëveshja përfundimtare do të jetë marrëveshje e parimeve për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve pas njohjes reciproke. Kjo marrëveshje nuk do të ofrojë zgjidhje kreative të çështjeve të hapura mes të dy vendeve, por do të ofroj zgjidhje sistematike bazuar në konventat ndërkombëtare, marrëveshja nuk do të ofroj zgjidhje të përkohshme apo afatgjate, por zgjidhje të përhershme. Ndryshe nuk do të ketë marrëveshje”, tha Hoti.

Kreu i qeverisë tha se në raundet e deritanishme në nivel të koordinatorit për dialog ashtu edhe në nivel të lartë janë diskutuar tema e të pagjeturve dhe të zhvendosurve, raportet ekonomike, ndërkohë që ka filluar të trajtohet edhe çështja e obligimeve financiare.

Sa i përket çështjes së të pagjeturve, ai tha se e kanë shtruar si çështje të parë në procesin e dialogut.

“Kjo përbën një pikë të marrëveshjes së përgjithshme, këtë çështje e kemi shtruar të paren në procesin e dialogut. Këtu pritet të specifikohen veprimet konkrete që duhet ndërmarrë për ta përmbyllur këtë temë të dhimbshme për shumë familje kosovare dhe për të gjithë opinionin. Ju njoftoj që Kosova ka hyrë në këtë proces seriozisht dhe do ta ruajmë këtë seriozitet dhe angazhim në frymën konstruktive me insistimin eksplicit tek ndërmjetësi i dialogut për të përmbyllur marrëveshjen e përgjithshme vetëm me njohje reciproke, duke respektuar plotësisht rendin kushtetues të Kosovës, duke respektuar unitaritetin qeverisës dhe integritetin territorial. Kosova nuk ka marrë dhe nuk do të merr asnjë zotim siç theksohet në arsyetimin e interpelancës pa pranuar Serbia njohjen e Kosovës si shtet i pavarur… Palmer dhe Lajçak, të dy zyrtarë të SHBA dhe të BE-së më kanë konfirmuar mbështetjen për marrëveshjen përfundimtare dhe parimet e qarta të dialogut se dialogu duhet të përmbyllet me marrëveshje përfundimtare se asgjë nuk dakrodohet derisa të dakordohen të gjitha detajet e marrëveshjes.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!