Trajneri i Partizanit, Franko Lerda, dhe drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama, shprehen për shortin e Championsit. Synojnë të jenë të përgatitur dhe të kualifikohen.
Emrin e kundërshtarit e mësuan në fazë përgatitore. Futbollistët e Partizanit dhe stafi i tyre teknik po përgatitet në Slloveni për Championsin, ku rivali në turin e parë eleminator do të jetë Karabaku i Azerbajxhanit. Trajneri i ri, Franko Lerda, tregoi në faqen zyrtare të klubit sesi e priste shortin.
“Të preferuar nuk kisha pasi sa herë hidhen shortet ka diskutime të ndryshme, por në fund duhet të vazhdojmë me përgatitjet tona dhe të kërkojmë të shkojmë në ndeshje me përgatitjen e duhur fizike, teknike, taktike, por mbi të gjitha, posikologjikisht të bindur se mund të kalojmë turin, pasi ndeshje të lehta nuk ka. Kam besim se do të shkojë mirë”, tha Lerda.
Italiani tregoi edhe përshtypjet e para për skuadrën e tij të re.
“Sot ka qenë dita ime e parë, ku takova djemtë në fushë. Ishte një takim shumë pozitiv, i pashë mirë, punuam mirë. Kështu jam shumë i kënaqur sepse pashë jë skuadër që do të rritet, përmirësohet dhe rritet. Pashë një grup që ka karakteristikat e mira, që na jep përshtypjen se do të bëjmë mirë”, tha Lerda.
Më pas, Lerda, tregoi edhe programin gjatë fazës përgatitore në Slloveni.
“Miqësore për momentin kemi dy, njërën në datën 23 dhe tjetrën në datën 26. Më pas kemi menduar sëbashku me stafin të mendojmë se ku do të bëjmë miqësoren e tretë sepse duhet të menaxhojmë dhe ngarkesën e stërvitjes. Tani duhet të bëjmë këto dy miqësore që i kemi me skuadra të rëndësishme”, tha Lerda.
Reagim për shortin edhe nga drejtori i përgjithshëm i kryeqytetasve, Olsi Rama, i cili e ndoqi shortin në sallën e UEFA-s në Nion të Zvicrës.
Rama u citua nga faqja zyrtare e Partizanit në internet, dhe u shpreh se “respektojmë çdo kundërshtar, ne jemi kampionë të Shqipërisë dhe padiskutim kërkojmë kualifikimin, jemi në një projekt ambicioz ku synojmë të ecim sa më shumë në Europë”.
“Karabaku është skuadër me shumë eksperiencë në Europë, – vazhdoi ai, – dhe normalisht nuk do të jetë e lehtë, gjithsesi futbolli nuk është shkencë ekzakte, nuk fiton më i shtrenjti, por më i miri”.
Partizani do ta luajë ndeshjen e parë në Tiranë në 9 ose 10 korrik, dhe të kthimit në Azerbajxhan në 16 ose 17 Korrik. Në rast kualifikimi, kampionë e Shqipërisë do të ndeshet në turin e dytë me fituesin e çiftit Dandalk të Irlandës-Riga të Letonisë./ABC News Albania 24/7