Lëvizja e lirë në Schengen, KE jep rekomandim pozitiv për Kosovën

schedule17:03 - 18 Korrik, 2018

schedule 17:03 - 18 Korrik, 2018

Komisioni Europian ka dhënë të mërkurën rekomandim pozitiv për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Ka qenë komisioneri për Emigracionin dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopulos që ka komunikuar lajmin në një konferencë për shtyp të mbajtur pasditen e së mërkurës, bashkë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Pas shumë vitesh përpjekje dhe pune të madhe, Komisioni mund të konfirmojë se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave”, ka deklaruar Avramopulos.

Komisioneri ka inkurajuar Këshillin dhe Parlamentin Europian që ta shqyrtojnë me shpejtësi propozimin për lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë në zonën Schengen.

“Besoj se jemi shumë pranë një regjimi pa viza për të gjithë rajonin”, ka shtuar Avramopulos.

Duke reaguar ndaj lajmit, kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se rekomandimi është dëshmi e ecjes së Kosovës në rrugën e integrimit europian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!