Asnjë ditë në punë, por ish-polici i vrarë paguhej prej muajsh si inspektor pyjesh

15:21 | 09/09/201915:210

Ish-efektivi Santiago Malko, i ekzekutuar në Tiranë edhe pse ishte person nën hetim për disa ngjarje kriminale, kishte mundur të emërohej prej 9 muajsh si inspektor pyjesh në Dajt. Prej muajit janar, 26-vjeçari nuk kishte qenë asnjë ditë në punë, por ishte paguar rregullisht.

Prej 9-muajsh ish-efektivi Santiago Malko i ekzekutuar në mënyrë mafioze mbrëmjen e 27 Gushtit ishte emëruar si inspektor pyjesh në Dajt.  26-vjeçari ishte një person nën hetim për disa ngjarje të rënda kriminale në Tiranë dhe Durrës, si edhe i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe plagosje me dashje.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur për ABC News se prej Janarit të 2019-së, ai nuk ishte paraqitur asnjë ditë të vetme në punë, ndërkohë që pagesat kryheshin normalisht në llogarinë e tij bankare.

Për këto arsye po hetohet edhe praktika e ndjekur në rastin Malko. Për t’u punësuar në administratën shtetërorë dëshmia e penalitetit është kriteri kryesor. Ajo duhet të jetë e pastër për aplikuesit për një vend pune ose personi duhet të jetë i rehabilituar pas dënimit të kryer.

Dyshohet se Malko ka falsifikuar dosjen e tij për dëshminë e penalitetit, duke e deklaruar atë të pastër në drejtorinë e burimeve njerëzore në Inspektoriatin e Mjedisit dhe Pyjeve.

Policia e ka referuar dosjen për ekzekutimin e ish-efektivit pa autor në Prokurorinë e Tiranës. Grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e më shumë se 40 kamerave të sigurisë të bizneseve në të gjithë gjatësinë e rrugës “Xhenfize Keko” për të bërë të mundur zbulimin dhe identifikimin e autorëve në vrasjen e 26-vjeçarit.

Po kështu rezultoi se në krim u përdor vetëm një armë zjarri tip automatik Kallashnikov model 54, ndërsa arma e tjetër nuk ka kryer qitje sipas ekspertëve të kriminalistikës.

Ndërkohë u përdorën dy automjete për të kryer ekzekutimin e të riut në zonën e Porcelanit. Hetimet për vrasjen e Malkos janë përqendruar kryesisht në larje hesapesh mes grupeve rivale./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono