30 Qershori dhe kriza e precedenteve politike

14:00 | 06/07/201914:000

Me procesin e 30 qershorit, të 61 bashkitë në vend, renditen nën logon e PS. Por kjo nuk ndihmoi në uljen e tensioneve politike, e në fushë doli qartazi edhe presidenti Meta përballë mazhorancës, e në krah të opozitës. Prej 5 muajsh në Shqipëri po rritet numri i precedentëve që vijnë nga politika, por zgjidhja nuk duket kund. Nisi me djegien e mandateve nga opozita e bojkotin prej saj të zgjedhjeve. Vijoi me një precedent zgjedhor, ku për herë të parë në 3 dekada pluralizëm, në mbi gjysmën e bashkive pati zyrtarisht votime e jo zgjedhje. Precedenti më i ri i paralajmëruar është shkarkimi i presidentit të Republikës.

Po çfarë po ndodh në vend përtej 30 Qershorit?

Për herë të parë një president, shpalli një datë të re zgjedhjesh, 3 ditë para mbajtjes së tyre, siç tha, për të mos patur votim monist, edhe pse mazhoranca nuk e kishte konsideruar çdekretimin e 30 qershorit.

Meta nxirrte kështu të dytin dekret, pa patur dakordësinë e dy palëve kryesore politike. Edi Rama ironizoi edhe Metën, edhe Bashën nga takimet e fundit të fushatës. Mes kundërshtimit të disa bashkive të opozitës për të mos lejuar përdorimin e ndërtesave publike si qendra votimi, për shkak se njihnin çdekretimin e 30 Qershorit, e një letre publike shpotitëse të Ilir Metën për Ramën ku e ftonte të reflektonte e jo të zhgënjente, spikati një mesazh i fortë i zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Europën, Matthew Palmer, se SHBA njihnin 30 qershorin. Në një intervistë për VOA, Palmer paralajmëronte se nëse PD e LSI do pengonin zgjedhjet, do futeshin në listën e zezë të Uashingtonit. Palmer pati vëmendje edhe për shqetësimin e opozitës për manipulim të zgjedhjeve, bazuar në përgjimet e prokurorisë të publikuara nga tabloidi gjerman Bild.

Mbrëmjen e 29 qershorit, mesazhi i Bashës ndryshoi. Thirrja e qartë ishte për bojkot të 30 Qershorit.

30 Qershori pati 97 kandidatë për kryetar në 61 bashki, 22 nga të cilët të partisë më të re në vend, Bindja Demokratike. Por në 31 prej tyre, edhe në bashki të mëdha si Shkodra, Elbasani, Fieri, Gjirokastra e Himara, në fletëvotim kishte vetëm 1 kandidat, ai PS. Këtë element mbështetës të opozitës ia shpotitën përmes inskenimeve para qendrave të votimit të dielën, të ngjashmërisë me votimet e para viteve 90. Të gjithë eksponentët më të lartë të mazhorancës e kishin kryer votimin deri në orën 09 e 30 të së dielës, duke nisur me zv/kryeministrin Erion Braçe e kreun e kuvendit Gramoz Ruçi rreth orës 07.00. Pas tyre edhe Rama e kryebashkiaku në kërkim të mandatit të dytë, Erion Veliaj.

Procesi kaloi qetësisht, por pjesëmarrja u bë objekt replikash mes KQZ e PD. KQZ njoftonte se deri në orën 15:00 kishin votuar 15.5% e mbi 3.4 milionë zgjedhësve në lista, por PD deklaronte se pjesëmarrja ishte vetëm 10%. E njëjta panoramë ishte edhe në mbyllje të kutive.

Lulzim Basha reagoi i pari. E pa gotën gjysmë bosh për mazhorancën dhe pjesëmarrjen e ulët, ia faturoi si fitore të opozitës.Nga ana e tij Kryeministri shpalli fitoren në të 61 bashkitë e vendit, duke e parë gotën gjysmë plot. Një përlotje publike i dha forcë mesazhit se 30 Qershori ishte një ditë historike.

Përveç pjesëmarrjes, numri i votave të pavlefshme dukej një tjetër siklet jo i vogël. Sipas shifrave paraprake të publikuara nga KQZ, ato preknin edhe bashki të mëdha, e shkonin në 7% në Tiranë e 7.5% në Durrës, e në bashki të vogla si Përmeti deri në 11%. Nga ana tjetër, sipas të njëjtave të dhëna, në të paktën 16 bashki, duke nisur me Shkodrën, rezultonin më shumë vota për kandidatët fitues socialistë, sesa qytetarë votues.

Për herë të parë KQZ që nuk arriti të jepte të dhëna të përditësuara online, dhe mospërputhjen e shifrave e argumentonte me marzhin e gabimit të shifrave të marra me telefon nga KZAZ nëpër Shqipëri. Argumentimi bëhej nga zëdhënësja e KQZ, ndërsa kryetari fliste në emër të tij e kërkonte hetim administrativ për këtë situatë që cënonte besueshmërinë publike të zgjedhjeve. PD fliste për manipulim rezultati.

Sidoqoftë të 61 kandidatët socialistë rezultonin fitues, një panoramë që për një zë me influencë si ish nënkryetarja e PD Jozefina Topalli, dëshmonte se për herë të parë pas 3 dekadash, PD mbetej pa asnjë pushtet, si në nivel qendror e atë vendor. Për herë të parë misioni i vëzhguesve të ODIHR, ku spikaste mungesa e vëzhguesve nga KiE, nuk iu përgjigj dot në vlerësimin paraprak, pyetjes nëse ishin plotësuar standardet zgjedhore, qoftë edhe pjesërisht në 30 Qershor. Mes shigjetimeve për KQZ se i kishte bërë interpretime kreative ligjit, bashkive të opozitës që kyçën ambientet e votimit, e militantëve që dogjën disa syresh, vëzhguesit dukeshin të qartë, se zgjedhësit në 30 Qershor nuk ishin konsideruar.

Opozita e lexoi si mesazh që mbështeste qëndrimet e saj. Nga selia e purpurt nuk pati deklaratë, ndërsa vetë Kryeministri, përmes një interviste me AL Jazeera, e ftonte opozitën që të reflektonte. Ilir Meta vijonte jashtë kostumit presidencial, të shpotiste 30 Qershorin, me video të stilit monist e në orën 11 të 2 Korrikut, në një konferencë për shtyp vuri në dispozicion mandatin e tij, duke sfiduar Ramën në zgjedhje të parakohshme parlamentare e presidenciale, në ditën që kishte dekretuar për zgjedhjet vendore, 13 Tetorin.

Sfida e dytë e Metës ishte për ambasadat e huaja, që të jepnin platformat e tyre për zgjidhjen e krizës. Disa prej tyre e akuzoi si nxitëse të konfliktit, duke i grupuar me akronimin PPPD, e që po ndihmojnë Kryeministrin në një eksperiment për të kapur shtetin, prej vitit 2016 me reformën në drejtësi. Meta akuzoi Ramën se ka kapur çdo institucion, dhe ka si sfidë të vendosë fatin politik të Lulzim Bashës e LSI. Për këtë publikoi një mesazh që Kryeministri i kishte dërguar dy ditë pas djegies së mandateve nga opozita.

Po cili është qëllimi i Ilir Metës?

Zgjatja e konferencës Metës, shtyu jo pak në orar, takimin e paralajmëruar falenderues të Kryeministrit me drejtues të policisë së shtetit. Por në asnjë moment shefi i ekzekutivit, nuk iu referua deklaratave të Ilir Metës. Kush reagoi të nesërmen ishte ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca. Në 6 postime në Twitter, rendiste detyrat pas 30 Qershorit, së pari me dialogun politik.

Në fund edhe kujtesa që palët të përmbyllin reformën zgjedhore e të angazhohen për muajin tetor, kohë kur KE do japë një vendim për negociatat me Shqipërinë. Qëndrimi i ambasadorit Soreca nuk i pëlqeu Ilir Metës, që i drejtoi disa pyetje publike, duke nënvizuar çka i kishte thënë veçmas, se mendonte se vitet e fundit delegacioni i BE, nuk ka bërë përpjekjet më të mira për të nxitur një dialog real midis palëve.

Meta e mbyllte mesazhin me kujtesën se grupi parlamentar qeverisës i Bundestagut CDU CSU kishte shpallur gatishmërinë për të ndërmjetësuar dialogun, e se të tjera pyetje për reformën në drejtësi, të cilën në një postim të mëparshëm e quante Ramaformë, do ia drejtonte ambasadorit në një moment tjetër. Sorecës iu përgjigj pa e përmendur edhe Lulzim Basha.

Ndërsa informimi online mbeti një mungesa e spikatur e këtyre zgjedhjeve, kërkesa e kreut të KQZ, për të hapur procesverbalet, e kuptuar se përse nuk përputhen shifrat mes votave e votuesve e vetë shifrat e pjesëmarrjes në 30 qershor, u rrëzua nga anëtarët e majtë në KQZ. Të nesërmen forcat e gardës morën në mbrojtje kryetarin e KQZ që kishte marrë kërcënime me jetë përmes rrjeteve sociale. Në këtë panoramë rrëzimi nga KE i kërkesës së Holandës për rikthimin e vizave për Shqipërinë, ishte lajmi që kaloi pa efekt pavarësisht ndjeshmërisë.

Një sinjal se as mbajtja e votimeve të 30 Qershorit, apo iniciativa për shkarkimin e Ilir Metës, nuk po ndikojnë në zgjidhjen e krizës politike, por veç në largimin e palëve nga njëra-tjetra e paralajmërim për matje forcash. Kryebashkiakët e djathtë kanë bërë të ditur se nuk do lirojnë zyrat për pasardhësit, pasi nuk njohin 30 qershorin. Ndërsa të hënën e 8 korrikut, mazhoranca voton në kuvend ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit, kurse opozita ka njoftuar protestën e 10 kombëtare para Kryeministrisë./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono