Nga Erisa Zykaj
Vendimi i Bashkimit Europian për sanksionet shtesë ndaj Rusisë është publikuar në fletoren zyrtare të kësaj organizate. Në këtë vendim, thuhet, se Këshilli i Bashkimit Europian vendosi të ndalojë ofrimin e shërbimeve të specializuara të mesazheve financiare, të cilat përdoren për shkëmbimin e të dhënave financiare (SWIFT), për Bankën Otkritie, Novikombank, Promsvyazbank, Rossiya Bank, Sovcombank, VNESHECONOMBANK (VEB) dhe VTB BANK’.
1.Ky vendim do të zbatohet për çdo person juridik, ent ose organ të krijuar në Rusi, të drejtat pronësore të të cilit janë në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për më shumë se 50% nga bankat e sipërpërmendura.
2.Ndalohet investimi, marrja pjesë ose kontributi në projektet e ardhshme të bashkëfinancuara nga fondi i investimeve direkte ruse.
3. Gjithashtu ndalohet shitja, dhënia, transferimi ose eksportimi i kartëmonedhave në euro në Rusi ose për çdo person fizik ose juridik, subjekt ose organ në Rusi, duke përfshirë qeverinë dhe bankën qëndrore të Rusisë, ose për përdorim në Rusi. Ky vendim në fuqi në ditën e dhjetë pas botimit në gazetën zyrtare të BE-së.
Nga ana tjetër, BE-ja do të pezullojë urgjentisht aktivitetet e transmetimit të Sputnik’ dhe Russia Today (RT). Këtu specifikohet pezullimi i degëve te RT në anglisht, RT të Britanisë së Madhe, RT Gjermani, RT Francë dhe RT Spanjisht) në BE derisa agresionit ndaj Ukrainës t’i jepet fund dhe derisa Federata Ruse dhe organet e lidhura me të të pushojnë së kryeri veprime dezinformuese dhe manipuluese ndaj BE-së dhe shteteve të saj anëtare.
Bashkimi Europian rikujton, se më herët janë vendosur sanksione ndaj udhëheqjes së RT, duke përfshirë kryeredaktorin Simonyan. Bashkimi Europian thekson, se manipulimi sistematik i informacionit dhe dezinformimi nga Kremlini zbatohet si një mjet operacional në sulmin e tij ndaj Ukrainës, ndaj përbën një kërcënim të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë për rendin dhe sigurinë publike të BE-së.
Këto masa plotësojnë paketën e tretë të sanksioneve të anonçuara në 27 shkurt, ku përfshihen gjithashtu dhënia e pajisjeve dhe furnizimeve për forcat e armatosura të Ukrainës përmes mekanizmit europian të paqes (European Peace Facility), ndalimi i fluturimit në hapësirës ajrore të BE-së dhe hyrja në aeroportet e BE-së për transportuesit rusë të të gjitha llojeve të fluturimeve, si dhe ndalimi i transaksioneve me Bankën Qëndrore të Rusisë. /abcnews.al