Zyrtari kanadez vizitë në Tiranë, Anthony Rota: Kanadaja, vend mik dhe partner i çmuar i Shqipërisë

schedule11:59 - 12 Tetor, 2022

schedule 11:59 - 12 Tetor, 2022

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot në Kuvendin e Shqipërisë Kryetarin e Dhomës së Komuneve të Kanadasë, Anthony Rota, dhe delegacionin parlamentar kanadez, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Takimi u zhvillua edhe në kuadër të 35-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe është vizita e nivelit më të lartë që zhvillohet nga Kanadaja në Shqipëri dhe rajon.

“Kanadaja është një vend mik dhe partner i çmuar, me një kontribut domethënës në zhvillimin e demokratizimin e Shqipërisë. Marrëdhëniet politike e parlamentare po fuqizohen, duke nxitur bashkëpunimin dypalësh në mjaft fusha me interes të përbashkët, si energjia, minierat, menaxhimi i ujërave, turizmi, bujqësia, infrastruktura dhe inovacioni. Mirënjohje për mbështetjen në rimëkëmbjen e vendit pas tërmetit të nëntorit 2019. Shqipëria i është mirënjohëse Kanadasë edhe për dënimin e sulmeve kibernetike, në krah të aleatëve tanë, Shteteve të Bashkuara, BE dhe Mbretërisë së Bashkuar. Vlerësoj gjithashtu ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore, e cila ka hyrë në fuqi më 1 gusht 2022 si edhe pranimin e propozimit të Shqipërisë për të nisur negociatat për Marrëveshjen për Shmangien e Taksimit të Dyfishtë dhe Parandalimin e Evazionit Fiskal. Shqipëria dhe Kanadaja ndajnë qëndrime të njëjta edhe për zhvillimet ndërkombëtare, në OKB, NATO në lidhje me paqen, sigurinë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut si edhe dënimin e agresionit të Rusisë dhe mbështetjen për Ukrainën. Diaspora shqiptare në Kanada është një lidhje e fuqishme mes dy vendeve”, tha  Nikolla.

Kryetari i Dhomës së Komuneve të Kanadasë, Anthony Rota, falenderoi Nikollën për pritjen e ngrohtë si edhe vlerësimin e bashkëpunimit dhe ndihmës së Kanadasë për zhvillimin dhe demokratizimin e Shqipërisë.

Rota  shprehu vlerësime të larta për arritjet e Shqipërisë dhe konfirmoi vullnetin e Kanadasë për zgjerimin e bashkëpunimit me Shqipërinë. Ky bashkëpunim duhet të përfshijë jo vetëm nivelet politike, por edhe fushën ekonomike, tregtinë si edhe marrëdhëniet midis qytetarëve të të dy vendeve. Bashkëpunimi dypalësh mund të zgjerohet në sektorët e minierave, energjisë dhe turizmit.

Kryetari Rota vlerësoi kontributin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së si edhe bashkërendimin e qëndrimeve me aleatët, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin e Evropian për dënimin e agresionit të Rusisë dhe mbështetjen e luftës së drejtë të Ukrainës si edhe për mbrojtjen prej sulmeve kibernetike.

Mbështetja e Ukrainës është mbështetje për demokracinë dhe mbrojtja prej sulmeve kibernetike është mbrojtje jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet tona, theksoi Kryetari Rota.