Zyrtari i BE: Ndërhyrjet në gjyqësor vazhdojnë, ka ndikime të papërshtatshme

schedule10:23 - 24 Qershor, 2022

schedule 10:23 - 24 Qershor, 2022

Për Bashkimin Europian ka ende shumë rrugë që Shqipëria duhet të bëjë për Reformën në Drejtësi.

Alex Hupin, i ngarkuari me punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Shqipërisë në Konferencën ndërkombëtare, tha se pavarësisht përparimit, ndërhyrjet në gjyqësor vazhdojnë.

“Kemi bërë një rrugë të gjatë por ndikimet e papërshtatshme dhe ndërhyrjet në çështjet e gjyqësorit vazhdojnë. Marrin forma të ndryshme, marrin dhe formën e sulmeve ndaj reformës në drejtësi por dhe formën e sulmeve kundër gjyqtarëve e prokurorëve”, tha Hupin në konferencën“Interesi i publikut në administrimin e drejtësisë dhe pavarësia e magjistratëve” që po mbahet sot në Tiranë.

Hupin vlerësoi rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë “për sjelljen shumë profesionale ndaj kësaj trysnie për të mbajtur gjyqësorin llogaridhënës por dhe ruajtur pavarësinë e gjyqësorit”

“E ardhmja është në duart tuaja. Vetingu vendosi standard të reja dhe ILD ka detyrë të ruajë këto standarde”, nënvizoi Hupin.

Ndërkohë, Bashkimi Europian ka thënë një asistencë prej 50 milionë eurosh në të gjitha institucionet gjyqësore në 4 vitet në drejtësi. Asistenca do të vijojë në të ardhmen, pasi Reforma në Drejtësi konsiderohet thelbësore për hyrjen në BE. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!