Zyrtarët e lartë grekë vendosin lule te varrezat e ushtarëve në Këlcyrë, i shoqëron Dule me Kserën

schedule09:15 - 28 Tetor, 2021

schedule 09:15 - 28 Tetor, 2021

Sot Greqia ka festë kombëtare. 28 tetori i vitit 1940 njihet si dita e “JO”-së greke, ndërsa aktivitete nga minoritarët janë zhvilluar edhe në jug të Shqipërisë.

Të pranishëm në ceremoninë që u zhvillua në varrezat e ushtarëve grekë në Këlcyrë ishin ambasadorja greke në Shqipëri Sofia Filipidhu, Andreas Katsanjotis që është zv/ ministër i Jashtëm i Greqisë, përfaqësues të ministrisë së Brendshme, konsulli në Gjirokastër, familjarë të ushtarëve të rënë, por edhe Spiro Ksera, Vangjel Dule dhe përfaqësues të tjerë të minoritetit grek në Shqipëri. Zyrtarët grekë kanë vendosur kurora me lule te varrezat e të rënëve.

Nisur nga situata e tre viteve më parë për rastin e Konstantinos Kacifas, ku ceremonitë u shoqëruan me incidente, autoritetet shqiptare cdo vit marrin masa të shtuara. Ditën e sotme policia ka ngritur postbllok në rrugën nacionale Gjirokastër-Tepelenë në vendin e quajtur Ura e Leklit për të kontrolluar të gjithë personat që shkojnë në drejtim të vendit ku ndodhen varrezat e ushtarëve grekë.

Gazetari investigativ Artan Hoxha u shpreh dje në “ABC LIVE” se pikave kufitare në doganë u është shpërndarë lista me 85 grekët që janë shpallur “non grata” nga pala shqiptare. Gjithashtu, Hoxha theksoi se ditët e fundit në jug të vendit ka një prani të shtuar të agjentëve të SHISH, por edhe forcave të anti-terrorit për të shmangur incidente të mundshme./ Abcnews.al