Zyrtarët Amerikanë në Ankara për të bindur Erdogan

schedule21:34 - 16 Tetor, 2019

schedule 21:34 - 16 Tetor, 2019

Krerët më të lartë të shtetit amerikan kanë nisur një ofensivë diplomatike për të bindur Turqinë të heqë dorë nga sulmet në Siri. Nga ana e tij, presidenti turk Erdogan ka akuzuar klasën politike amerikane për mungesë respekti dhe ka paralajmëruar se mund të anulojë një vizitë të planifikuar muajin e ardhshëm për në Shtetet e Bashkuara.

Administrata amerikane ka dërguar zyrtarët më të lartë të saj në Turqi, për të bindur Ankaranë që të ndalë sulmet në veri të Sirisë, në një kohë kur edhe trupat ruse po përpiqen të plotësojnë vakumin e lënë nga trupat e Uashingtonit.

Kështu, Robert O’Brajan, prej muajit të kaluar këshilltar për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë mbërriti të mërkurën në Turqi në përpjekje për të takuar ministrin e Jashtëm Mevlut Çavushoglu.

Ndërkohë, zëvendës presidenti Majk Pens dhe sekretari i Shtetit, Majk Pompeo pritet të takohen këto ditë me vetë presidentin turk Reçep Taip Erdogan. Administrata amerikane po përpiqet në këtë mënyrë të parandalojë katastrofën si pasojë e vendimit të Erdogan për të sulmuar zonat me shumicë kurde, milicitë e të cilave dikur ishin aleate të Shteteve të Bashkuara kundër ISIS.

Nga ana e tij, Erdogan insistoi edhe njëherë se nuk do të ketë ulje të armëve dhe tha se mund të anulojë vizitën e planifikuar për muajin e ardhshëm në Uashington për shkak të mungesës së respektit të treguar sipas tij nga politikanët amerikanë.

Gjithashtu, ai i quajti të paligjshme, të shëmtuara dhe kriminale sanksionet që Shtetet e Bashkuara vendosën ndaj një banke shtetërore turke nën dyshimin se kishte shkelur sanksionet ndaj Iranit. Sulmi turk, i nisur pas një telefonate mes presidentëve Trump dhe Erdogan bëri që Uashingtoni të braktiste një strategji 5-vjeçare dhe të tërhiqte trupat nga veriu i Sirisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!