Vangjel Zguro është zyrtarisht lojtari më i ri i skuadrës shqiptare në Maqedoninë e Veriut FC Struga, e cila fitoi titullin kampion sezonin që sapo mbaroi.
Lojtari nga Pogradeci ka një eksperiencë të madhe në Kategorinë Shqiptare duke luajtur me ekipe të mëdha në Superiore, si Kukësi apo Skënderbeu, ndërsa së fundmi ishte pjesë e Bylis.
Gjithashtu, 30-vjeçari ka patur edhe dy eksperienca në Amerikë me skuadrat e Tulsa dhe Red Wolves.
Përmes një statusi në Instagram lojtari tha:
“Nga sot jam lojtar i Strugës kampiones të kampionatit Maqedonas. Falenderoj shumë Presidentin, Drejtorin dhe trajnerin Shpetim Duro për besimin e dhënë. Shpresoj që tja u shpërblej çdo gjë në fushën e blertë”.
Zguro pritet të ndihmojë Strugën e cila ka nisur nga puna për sezonin e ri teksa ka njohur edhe kundërshtarin në fazën e parë të Champions League, aty ku do të përballet me ekipin e Zalgiris.
Kujtojmë se FC Struga drejtohet nga trajneri i mirënjohur Shpëtim Duro. /G.D abcnews.al/