Taulant Seferi në fund të këtij sezoni u bë pjesë e Tiranës në formë përfundimtare. Young Boys vendosi ta lërë të lirë dhe sulmuesi firmosi me bardheblutë për dy vite, por Tirana nuk do jetë i vetmi klub i Seferit në vendin tonë.
Teuta, kampione e sezonit të shkuar, përmes një postimi në rrjetet sociale zyrtarizon se ka huazuar sulmuesin e kombëtares për periudhën që ata do të luajnë në Kupat e Europës. Ndeshjen e parë durrsakët e zhvillojnë më 7 korrik ndaj Sheriff Tiraspol në “Niko Dovana” dhe Seferi do jetë i gatshëm.
NJOFTIMI I TEUTËS – Emri i katërt që i është bashkuar projektit evropian të kampionëve të Shqipërisë është futbollisti i kombëtares Taulant Seferi. Ai do t’i bashkohet ekipit në formë huazimi. Seferi do të jetë një ndihmë e madhe në UEFA Champions League.
Drejtuesit e Teutës falënderojnë presidentin e KF Tirana për bashkëpunimin dhe lejimin e futbollistit për t’u afruar me Teutën. Seferi do t’i bashkohet skuadrës sot në seancën e rradhës stërvitore që do të zhvillohen në Ohër. /abcnews.al