Zyrtare: Tirana nis merkaton, Avdijaj transferimi i parë bardheblu

schedule14:20 - 23 Korrik, 2020

schedule 14:20 - 23 Korrik, 2020

Tirana bën afrimin e parë dhe ai është Albion Avdijaj, sulmuesi i cili është aktivizuar edhe me Shqipërinë U21. Më parë ka luajtur edhe me moshat e Zvicrës, por zgjodhi më pas ngjyrat kuqezi. Klubi i Tiranës ka dalë me njoftim.

“Albion Avdijaj është zyrtarisht bardheblu! Sulmuesi 26-vjecar ka firmosur kontratën që e bën pjesë të Tiranës për dy vitet e ardhshme. Futbollisti do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore dhe pas ndeshjes së Laçit do të bashkohet me skuadrën në stërvitje. Avdiaj, me një karrierë të pasur jashtë vendit, vjen si një vlerë e shtuar në familjen bardheblu”.

E SHKUARA – Karriera e tij nuk ka shkuar në bazë të pritshmërive. Avdijaj eksperiencën e fundit e ka Viborg në Danimarkë. Asnjë gol në gjashtë ndeshje, ndërkohë që vetëm një ndeshje e ka nisur si titullar. Këtë sezon e kishte nisur me Grasshopper.

Golin e fundit e ka realizuar në tetor të vitit 2018, kur ishte pjesë e Debrecen në Hungari. Avdijaj ka luajtur në elitën e futbollit zviceran edhe me Vaduz, por nuk ka spikatur si një golashënues.

Sezonin më të mirë e ka në vitin 2015, kur ishte pjesë e Wolfsburg II dhe shënonte 11 gola në ligën e katërt në Gjermani. Një vit më parë ai i është propozuar klubit të Kukësit, që nuk është bindur dhe tani do të luajë për herë të parë në Superiore me Tiranën. /abcnews.al