Ardi Veliut i mbaron “vaji i kandilit”

schedule17:05 - 5 Tetor, 2021

schedule 17:05 - 5 Tetor, 2021

Ardi Veliu nuk do të jetë më Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Pas më shumë se 3 vite në krye të Policisë së Shtetit, Veliu i ka paraqitur kryeministrit dorëheqjen mbi tryezë, të cilën Edi Rama e ka pranuar.

Me konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe me bindjen se ai ka akoma shumë për t’i dhënë shtetit në detyra të tjera, e falenderoj nga zemra për kontributin e vyer” shkruan kreu i qeverisë.

Në letrën e dorëheqjes, Ardi Veliu shprehet se arsyet që e kanë çuar në marrjen e këtij vendimi kanë qenë personale duke i lidhur me familjen. “Kam vendosur të mos kërkoj një mandat tjetër dhe t’ju ofroj dorëheqjen për t’u përkushtuar më shumë familjes dhe fëmijëve që tani janë në një moshë delikate, e të cilëve ju kam munguar pafund këto katër vite” shprehet Veliu.

Sinjalet
Mesditën e sotme ishte deputeti demokrat Luan Baçi, ai i cili në Komisionin për Sigurinë Kombëtare pyeti ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi nëse është shkarkuar nga detyra Veliu. Çuçi me nota ironike u shpreh se përgjigjen do ta merrte kur të ishte koha e duhur dhe se Ardi Veliut nuk i ishte fikur ende “kandili”. Por vetëm disa orë më pas, “kandili” u fik.

Dorëheqja vjen vetëm pak ditë përpara mbarimit të afatit të vendosur nga kryeministri Edi Rama. Rreth tre muaj më parë pas ngjarjeve të shumta kriminale në vend, Rama vuri një afat prej 100 ditësh për strukturat e policisë duke thënë se brenda këtij afati ata duhet të vendosnin rendin dhe angazhimin maksimal. Por duket se ngjarjet e fundit kriminale, ekzekutimi i efektivit Saimir Hoxha në Lezhë dhe atentati me dy viktima mbrëmë në Elbasan i vendosën vulën fatit të Veliut.

Keni 110 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. Asnjë ditë më shumë. Që qytetarët të marrin frymë shumë të lehtësuar duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër. Asnjë shkencë, asnjë shpikje, asnjë luftë me të panjohur, thjesht dhe vetëm gjërat që i dini, gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin.

Duhet bërë në respektin e vetes, masës dërrmuese të trupës që është korrekte dhe nuk ka pse t’i paguajë kostot një pjesë që duhet zhdukur nga Policia e Shtetit dhe duhet të shkojë përpara përgjegjësisë. Në çdo qark në 100 ditë duhet të jepen shembuj të qartë, nuk mund të ketë komisarë që luajnë me dy porta dhe ju nuk e keni fare problem as t’i kapni. Ky është një objekt i palëvizshëm në çdo qark”, tha në atë kohë Kryeministri Edi Rama. Pak ditë para përfundimit të afatit, Veliu dorëzoi detyrën.

/ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!