Roberto Mançini është trajneri i ri i Italisë. Ish-trajneri i Interit dhe Manchester City-t cilësohet si shpresa e fundit e të kaltërve për t’u kthyer në lavdinë e dikurshme.
I përzgjedhuri zbriti më në fund nga qielli.
Roberto Mançini vuri këmbë në aeroportin e Fiumiçinos në Romë, në rrugën e tij drejt selisë së Federatës Italiane të Futbollit.
Do të jetë ai trajneri i ri i Italisë, personaliteti i vetëm që i plotësonte kushtet pas refuzimeve të Ançelotit apo Kontes.
I sulmuar nga mediat nga të katër anët, ndërsa nxitonte drejt makinës, Mançini nuk pati dëshirë të fliste, në përpjekje për të lënë gjithçka për në konferencën e prezantimit.
“Jam i lumtur dhe krenar për këtë detyrë, – u mjaftua të thoshte ai, – pas këmbënguljes së gazetarëve, nuk dua të flas para kohe për të ardhmen, të shohim se çdo të ndodhë”.
Më pas, erdhi firma në kontratë, që besohet të jetë e vlefshme për një cikël eleminator, atë të Europianit, dhe prezantimi me fanelën e shpalosur të Italisë, në krah të komisarit të jashtëzakonshëm Fabriçini, dhe të Alesandro Kostakurtës.
Pesëdhjetetrevjeçari cilësohet si shpresa e fundit e të kaltërve për t’u kthyer sërish në nivelet e dikurshme, pas dështimit për t’u kualifikuar për në Kupën e Botës në Rusi.
Karriera e Manços nuk ka të sharë, pasi fitoi tre tituj me Interin, disa Kupa të Italisë po me Interin, me Fiorentinën apo Lazion, si dhe Superkupën e Italisë.
Në Angli, u bë kampion me Manchester City-n, të njëjtën skuadër me të cilën fitoi Kupën dhe Superkupën e Anglisë, ndërsa në Turqi fitoi Kupën me Gallatasarajin.
Këtë sezon ai ishte në stolin e Zenitit të Shën Peterburgut në Rusi, detyrë të cilën e la në mirëkuptim me klubin, për të marrë drejtimin e kombëtares së vendit të tij.
Italia pësoi një katastrofë të vërtetë nën drejtimin e Giampiero Venturës, duke u mundur nga Suedia në play off-in e Botërorit.
Më pas, të kaltrit u drejtuan në disa miqësore nga Luigi Di Biago, në pritje të një zgjidhjeje përfundimtare.
Ndeshja e parë e Mançinit si trajner i Italisë do të jetë në 28 Maj ndaj Arabisë Saudite në Zvicër, pastaj në Nicë ndaj Francës në 1 Qershor, dhe në 4 Qershor në Torino ndaj Holandës.
Synimi është që gjithçka të jetë gati që italianët të kualifikohen për në Europian, në një grup ku ndodhen Portugalia e Polonia./abcnews.al