Zyrtare: Redon Xhixha e mbyll me Laçin, Obanor firmos në Kroaci

schedule20:58 - 8 Qershor, 2021

schedule 20:58 - 8 Qershor, 2021

Redon Xhixha largohet pas katër vitesh nga Laçi, sikurse edhe Obanor që ka firmosur në Kroaci. Futbollisti kurbinas, autor i 26 golave në 129 ndeshje (93 titullar) në kampionat, ka njoftuar mbylljen e bashkëpunimit me bardhezinjtë.

Me përfundimin e kontratës palët kanë vendosur të mos rinovojnë dhe Xhixha përmes rrjeteve sociale i falënderon të gjithë në kampin laçian.

“Aventurës time tek Laçi i erdhi fundi, dua te falënderoj presidentin Pashk Laska që besoj tek unë. Dua të falënderoj çunat e ekipit që kemi ndarë bashkë momente gëzimi dhe mërzitje.

Dhe një falënderim të veçantë për tifozët, të cilët na kanë mbështetur dhe shpresoj t’i kemi bërë të lumtur me paraqitjet tona. I uroj suksese ekipit të Laçit ne vazhdim”, shkruan Xhixha, i cili sezonin e fundit u ndal në kuotën e 5 golave në kampionat.

OBANOR – Nigeriani, i cili për herë të parë ka luajtur në Superiore me Kukësin, është rikthyer në Kroaci. Mbrojtësi qendror ishte një nga pikat kyçe të Laçit.

me përfundimin e kontratës ai doli lojtar i lirë dhe së fundmi NK Istra i ka bërë ofertë dhe ka nënshkruar. Obanor ka luajtur me parë me Rudes në kampionatin kroat. v.p /abcnews.al