PSG ka njoftuar zyrtarisht transferimin e mesfushorit Gabriel Moscardo nga Corinthians.
Klubi parisien ka fituar garën për transferimin e talentit 18-vjeçar brazilian, i cili pëlqehej shumë edhe nga klube të tjerë të mëdha. Ka qenë faqja zyrtare e klubit francez e cila ka konfirmuar nënshkrimin e Moscardo, i cili është dërguar menjëherë në huazim te Corinthians deri në fund të sezonit.
“Paris Saint Germain ka kënaqësinë të njoftojë nënshkrimin e mesfushorit brazilian 18-vjeçar Gabriel Moscardo, i cili i bashkohet klubit kryeqytetas deri në vitin 2028 dhe menjëherë do të huazohet në SC Corinthians deri në fund të sezonit”, thuhet në njoftim.
Pas firmës së tij me PSG, Moscardo është shprehur tepër i lumtur për këtë hap galopant në karrierën e tij.
“Jam shumë i lumtur që i bashkohem PSG-së, kjo është një nga ditët më të mira të jetës sime. Është një projekt me disa lojtarë të rinj të talentuar. Mezi pres të bashkohem me skuadrën dhe të takohem me ekipin dhe stafin stërvitor dhe shpresoj të fitoj shumë trofe dhe t’i bëj të lumtur tifozët”, përfundoi ai./h.ll/abcnews.al