Zyrtare: Koronavirusi mbyll kampionatin, vendosen verdiktet për volejbollin

schedule13:56 - 24 Qershor, 2020

schedule 13:56 - 24 Qershor, 2020

Në stadiume mund të luash, por në salla të mbyllura jo! Që do të thotë se kampionatet e lojërave me dorë e kanë të pamundur të zhvillohen, ndaj edhe Federata Shqiptare e Volejbollit mori vendim për të anuluar sezonin.

Federata u bazua tek urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë të datës 15 maj të këtij viti, që lejoi rifillimin e ndeshjeve sportive në ambiente të hapura, por jo ato në ambiente të brendshme. Me gjasë, situata ende e vështirë me epideminë e koronavirusit, e ka bindur edhe më shumë Ministrinë që të mos e ndryshoi qëndrimin e saj.

Vendimi I bordit drejtues të Federatës përcaktoi edhe se ky sezon nuk do të ketë ekipe kampion, për asnjë kategori dhe nivel moshe, duke zbatuar vendimin e marrë në Asamblenë e Përgjithshme të mbajtur pak ditë më parë.

Skuadrat e vendeve të para, do të kenë mundësi të marrin pjesë në kupat e Europës, gjithnjë sipas dëshirës dhe mundësive, duke pasur afat për të dorëzuar dokumentacionin deri në 15 korrik. Mirdita është në vend të parë në volejbollin e femrave, ndërsa Erzeni i Shijakut kryeson renditjen tek meshkujt.

Në 12 qershor, Federata pati ende shpresë se mund të rifillonte aktivitetin, duke lënë 23 qershorin si afatin e fundit për ta bërë diçka të tillë. Ky afat tashmë kaloi, ndaj edhe u mor vendimi përfundimtar për ta anuluar sezonin. / abcnews.al