Shqipëria do të luajë më 5 dhe 8 shtator kundër Hungarisë dhe San Marinos, ndërkohë që FSHF ka dalë me njoftim dhe bën me dije se ndeshjet do të luhen në “Elbasan Arena” dhe jo në “Air Albania”, ku po shtrohet tapeti.
“Shtatori rikthen Kombëtaren, me përfaqësuesen shqiptare që është e impenjuar në tre ndeshje zyrtare të vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”, ndaj Polonisë në transfertë më 2 shtator dhe Hungarisë e San Marinos në 5 dhe 8 shtator që do të luhen në shtëpi.
Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se dy ndeshjet brenda do të zhvillohen në stadiumin “Elbasan Arena”, në ndryshim nga ndeshja me Anglinë e muajit mars që u luajt në stadiumin “Air Albania”.
Shkak i këtij spostimi të paparashikuar është investimi për rinovimin e fushës. Investimi parashikon një tapet të ri hibrid, i cilësisë dhe standardeve më të larta ndërkombëtare, që pritet të jetë gati në mesin e muajin e shtator.
Sakaq bëjmë me dije se biletat për dy ndeshjet ndaj Hungarisë dhe San Marinos do të dalin në shitje ditën e shtunë, datë 21 gusht 2021. Për detaje në lidhje me biletat publiku do të njoftohet përmes kanaleve zyrtare të FSHF-së në rrjetet sociale”, njofton FSHF. /abcnews.al