Zykaj: 7 Korriku mund të sjellë lajme të mira për Shqipërinë dhe MV për hapjen e negociatave

schedule18:53 - 1 Korrik, 2022

schedule 18:53 - 1 Korrik, 2022

Gazetarja Erisa Zykaj duke folur në “Skype” për emisionin “Ballkan” në Abc për gazetaren Linda Karadaku, ka shpjeguar se si po avancon procesi i diskutimeve në Bruksel për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Zykaj tha se që në ditën e parë, ABC është njoftuar se, presidenca çeke është po aq e përkushtuar sa presidenca franceze për t’a çuar përpara dakortësinë midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mbi propozimin e fundit të shpalosur dje nga presidenti francez, Emmanuel Macron deri në finalizim.

Sipas saj takimi i ardhshëm i 27 ambasadorëve të përhershëm të BE-së zhvillohet në 7 korrik dhe në këtë kuptim, data 7 korrik mund të përbëjë edhe datën e vendimit mbi kuadret negociuese.

7 korriku shansi i parë për aprovimin e kuadrove negociuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Zykaj: Presidenca çeke e Bashkimit Europian jep sinjale shumë inkurajuese për progres konkret lidhur me integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Që në ditën e parë të kësaj presidence, ABC është njoftuar se, presidenca çeke është po aq e përkushtuar sa presidenca franceze për t’a çuar përpara dakortësinë midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mbi propozimin e fundit të shpalosur dje nga presidenti francez, Emmanuel Macron deri në finalizim. Është ky finalizim që do të zhbllokojë rrugën për aprovimin e kuadreve negociuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nëse ky finalizim do të bëhet brenda pesë ditësh, atëherë presidenca çeke do të vendosë pa humbur kohë çështjen e kuadreve negociuese me të dyja vendet në axhedën e takimit të ambasadorëve të përhershëm të Bashkimit Europian. Takimi i ardhshëm i 27 ambasadorëve të përhershëm të BE-së zhvillohet në 7 korrik dhe në këtë kuptim, data 7 korrik mund të përbëjë edhe datën e vendimit mbi kuadret negociuese. Më tej, ky vendim mund të kalojë pastaj përmes një procedure të përshpejtuar me shkrim, siç ka ndodhur gjatë periudhës së pandemisë me një sërë vendimesh që nuk mund të merreshin me prezencën fizike të ministrave të çështjeve europiane, ministrave të jashtëm apo të fushave të tjera. Pra, nuk ka nevojë domosdoshmërisht të mbahet një takimi i posaçëm i 27 ministrave të çështjeve europiane për përcaktimin e një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me të dyja vendet, që shënon dhe hapjen zyrtare të negociatave me to.

Presidenca çeke gati të ecë përpara me Ballkanin si paketë

Zykaj: Burime çeke kanë shpjeguar për ABC qasjen ndaj Ballkanit Perëndimor në këtë kontekst të mprehtë të agresionit rus në Ukrainë, ku Bashkimi Europian nuk duhet të tregojë asnjë dobësi dhe nuk duhet të tolerojë asnjë rrjedhojë destabilizuese të  Rusisë në rajon. Si rrjedhim, Bashkimi Europian synon të përparojë me të gjitha vendet e rajonit në integrimin e tyre europian dhe ndaj rajoni aktualisht shihet më shumë si një paketë. “Nëse zhbllokohet rruga për hapjen e negociatave zyrtare të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, atëherë do ecim përpara dhe me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe me aplikimin e Bosnjës për statusin e vendit kandidat” janë shprehur këto burime. Sipas tyre, një moment i rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë dhe samiti i muajit tetor mbi Komunitetin Politik Europian, ku do të ftohen shumë vende, përfshirë ato të rajonit. Gjatë samitit të tetorit pritet të mësohet më shumë lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe ecjen përpara të Bosnjës Hercegovinës në përmbushjen e 14 prioriteteve për marrjen e statusit të vendit kandidat.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!