Qeveria e Zvicrës ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga retorika apo veprimet që mund të nxisin më tej situatën, pas tensioneve të fundit në veri.
Përmes një postimi në Twitter të martën, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme tha se KFOR-i e EULEX-i janë çelësi për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në veri.
“U bëjmë thirrje edhe një herë të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen nga retorika apo veprimet që mund të nxisin më tej situatën. KFOR-i dhe EULEX-i janë çelësi për ruajtjen e rendit dhe sigurisë së komuniteteve lokale në veri të Kosovës”, ka shkruar Departamenti Federal i Punëve të Jashtme për politikën e jashtme zvicerane dhe zhvillimet globale.
#Serbia and #Kosovo: We once more call upon all parties involved to refrain from rhetoric or actions that can further inflame the situation. KFOR and EULEX are key to maintaining order and safety of local communities in north Kosovo.
— Swiss MFA (@SwissMFA) December 27, 2022
Më 27 dhjetor, në veri të Kosovës janë vendosur dy barrikada të reja.
Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Serbët lokalë që 18 ditë kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se ai dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Që kur janë ngritur barrikadat, në veri të Kosovës janë shënuar një numër i incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), patrulla të KFOR-it dhe gazetarët.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se barrikadat do të hiqen kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Po ashtu, më 26 dhjetor, Vuçiq ka urdhëruar që forcat e armatosura dhe njësitë policore të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake.
Qeveria e Kosovës tha të hënën se është në komunikim të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe po pret që ata të veprojnë, duke theksuar që Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet për të hequr barrikadat./REL/