Zvicra është gati t’i bashkohet mbrojtjes ajrore evropiane

schedule14:58 - 6 Korrik, 2023

schedule 14:58 - 6 Korrik, 2023

Zvicra duket se tashmë është e gatshme për të hequr dorë nga “neutraliteti” i së kaluarës dhe për t’iu bashkuar nismës gjermane “European Sky Shield”

Ministria Zvicerane e Mbrojtjes në një deklaratë për mediat ka bërë me dije lajmin se tashmë Zvicra ka vendosur që të marrë pjesë në Iniciativën Evropiane të Mburojës së Qiellit dhe një deklaratë synimi lidhur me të do të nënshkruhet në Bernë.

Sipas saj pritet që të nënshkruhet marrëveshja përkatëse e synimeve gjatë një takimi që do të ketë nesër me homologët e saj nga Gjermania dhe Austria.

Megjithatë, kundërshtuesit argumentojnë se kjo do të minojë neutralitetin e Zvicrës, do të rrisë varësinë e saj ushtarake nga vendet e huaja dhe potencialisht do ta bëjë vendin një objektiv të mundshëm për sulme.

Zvicra, e cila nuk është anëtare as e BE-së dhe as e NATO-s, i është bërë presion nga Perëndimi që të braktisë “neutralitetin” e saj të rreptë që kur Rusia pushtoi Ukrainën.

Ndër të tjera ministrja ka shprehur interes për forcimin e bashkëpunimit me NATO-n në një takim marsin e kaluar. Megjithatë, deri më tani, bankat zvicerane kanë ngrirë asetet ruse me vlerë vetëm 8 miliardë dollarë, megjithëse ato “zotërojnë” një total prej rreth 49.3 miliardë dollarësh.

Për sa i përket Mburojës Evropiane të Qiellit, ajo është një nismë gjermane që synon formimin e një kuadri kolektiv të mbrojtjes ajrore plotësuese me NATO-n.

Deri më tani kësaj nisme i janë bashkuar 17 shtete: Belgjika, Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Gjermania, Hungaria, Letonia, Lituania, Holanda, Norvegjia, Sllovakia, Sllovenia, Rumania, Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Suedia, Finlanda.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!