Zvicerani i dashuruar me Kukësin/ Gazetari: Shqipëria ka ndryshuar shumë në 10 vite

schedule20:11 - 14 Tetor, 2023

schedule 20:11 - 14 Tetor, 2023

Kukësi është një prej ndalesave të turit me biçikletë që Uilliam, një gazetar nga Zvicra, ka ndërmarrë këtë vjeshtë nëpër Ballkan.

Para se të udhëtojë drejt Kosovës, do të qëndrojë në Shqipëri ku do të vizitojë disa qytete.

“Unë jam nga Zvicra. Ndalesa në Shqipëri është në kuadër të një turi që kam ndërmarrë në disa vende të Ballkanit. Rrugët po i përshkoj me biçikletë. Kukësi m’u duk qytet interesant dhe vendosa të qëndroj këtu për pak. Do të vizitoj edhe disa qytete të tjera dhe më pas do të udhëtoj po me biçikletë drejt Kosovës, në Gjilan.”

Në Kukës, përveç natyrës, përshtypje i ka lënë edhe mikëpritja e njerëzve. Thotë se e ka surprizuar po ashtu edhe numri i lartë i kafeneve që ndodhen në qytet.

“Kur erdha nga autostrada më bëri përshtypje një urë e madhe që po ndërtohet në një qytet kaq të vogël. Më befasoi edhe jeta sociale. Ka shumë lokale, kafene. Njerëzit qëndrojnë bashkë, bisedojnë e argëtohen me njeri-tjetrin, dalin shëtitje. Është një qytet i bukur, i rrethuar nga kodrat e malet. Vij nga një vend europian si Zvicra ku ka shumë emigrantë dhe normalisht që krijohen edhe steriotipe. Megjithatë kur erdha këtu, nuk u nisa sa steriotipet dhe ato që kisha dëgjuar për Shqipërinë. Çfarë më surprizoi, ishte bujaria e njerëzve. Janë shumë të afruar. Shumë prej tyre nuk dinë gjuhë të huaj, por janë të gatshëm që të të ndihmojnë qoftë edhe përmes gjesteve.”

Kjo nuk është e para herë që vjen në Shqipëri. Vendin e ka vizituar 10 vite më parë. Thotë se është befasuar nga ndryshimet që Shqipëria ka pësuar në një dekadë.

“Shqipërinë e njoh pak. Kam ardhur këtu 10 vite më parë, atëherë erdha me makinë. Kam lexuar në Wikipedia dhe media të tjera. E njoh edhe përmes shqiptarëve që jetojnë në Zvicër. Në 1 dekadë Shqipëria ka ndryshuar shumë. Ka shumë ndryshime në aspektin ekonomik dhe atë social, më vjen mirë për këtë.”

Edhe pse me pushime, 30-vjeçari ziceran nuk heq dorë nga profesioni. Gjithë mbresat mbi ditët e qëndrimit në Shqipëri, i ka shkruar në bllok dhe thotë se shumë shpejt mund të shkruajë një reportazh për Shqipërinë.

“Unë e vizitoj Shqipërinë si turist, por edhe kur je me pushime është vështirë të heqësh dorë nga profesione. Gjerat që më kanë bërë përshtyje këtu janë duke i shënuar në bllokun tim. Ka shumë tema interesante për të cilat mund të shkruaj edhe një reportazh më vonë. Do të ishte mirë që artikujt që shkruhen nga gazetarët vendas të lexohen edhe nga zviceranët, në mënyrë që ata ta njohin realitetin këtu. Më shumë duhet të shkruhet veçanerisht për turizmin.”

Ulliam tregon se përveç gazetarisë, pasion ka edhe letërisinë.

“Unë kam studiuar në Zvicër për shkenca politike, më pas kam bërë praktikë për gazetarinë e shkruar. Puna e parë në profesion ka qënë në një revistë online. Tani punoj si gazetar i lirë në media të ndryshme, por jam i angazhuar edhe me disa projekte që lidhen me letërsinë.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!