Zvicër, shkatërrohet rrjeti shqiptar i drogës

schedule19:03 - 7 Maj, 2019

schedule 19:03 - 7 Maj, 2019

Autoritetet gjyqësore në kantonin Friburg të Zvicrës kanë çmontuar një organizatë kriminale shqiptare të trafikut të heroinës, e cila vepronte në pjesë të ndryshme të vendit. Autoritetet bënë të ditur se, operacioni u bë i mundur pas një vit hetime, që treguan se grupi kriminal vepronte edhe në kantonet e Bernës, Vaudit dhe Gjenevës.

Në kuadër të hetimeve u ndaluan 12 persona në zonat e sipërpërmendura, ndërsa dy të tjerë u arrestuan jashtë shtetit dhe do të ekstradohen në Zvicër për qëllime hetimi. Sipas burimeve zyrtare, banda importonte sasi të mëdha droge në Zvicër, ku më pas ndahej dhe u dorëzohej strukturave të rrjetit kriminal për të bërë shpërndarjen në treg.

Trafikantët udhëtonin në të katër kantonet për të bërë dorëzimin dhe në disa raste e fshihnin heroinën në pyje. Në total gjatë operacionit janë sekuestruar 8.5 kilogramë heroinë me vlerë tregu 1 milion dollarë, 10.5 kilogramë lëndë përzierëse paracetamol dhe kafeinë, si dhe 50 mijë franga zvicerane. Krerët e kësaj linje trafiku pritet të dalin së shpejti përpara gjyqit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!