Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si manipulim protestën e zhvilluar në Zvërnec kundër ndërtimit të një projekti turistik në zonë, duke mbrojtur procesin e ndjekur për investimin dhe duke hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga kundërshtarët e tij.
Gjatë një komunikimi publik, Rama deklaroi se projekti ka nisur si interesim i investitorëve që në vitin 2023 dhe se administrata shqiptare ka vepruar në mbrojtje të interesit publik, duke kërkuar standarde më të larta për zhvillimin e tij.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se disa nga imazhet e publikuara për projektin nuk përputhen me planin real, ndërsa shtoi se versioni i parë i projektit ishte kthyer për rishikim me synimin për të siguruar më shumë përfitime për komunitetin dhe vendin.
“Historia dhe pamja e këtij investimi. Projekti ka nisur si interesim nga ana e investitorëve në vitin 2023 dhe ka nisur si një interesim bashkë me Sazanin. Qëndrimi ynë që ditën e parë ka qenë, Sazani ka qenë një tokë publike, ka qenë ambicie e shumë qeverive të tjera për ta kthyer në një investim turistik, dhe ajo toka nuk shitet.
Ne duam shteti shqiptar që të jetë palë. Shitësit dhe të korruptuarit bënin Shqipërinë një euro dhe nuk jepnin pjesë. Ndërsa për projektin e Zvërnecit u kthemi thënë që duhet të shikoni pronat dhe pronarët pasi ne nuk kemi shtet atje. Pra merruni me pronarët. Ju e dini shumë mirë se kush janë njerëzit e interesuar dhe këtu dua t’u them diçka, bota mbarë flet për këtë projekt për shkak të njeriut që e ka promovuar këtë projekt. Por, bota ka hesape për të larë dhe luftërat e veta për të bërë. Prandaj projekti ka qenë me axhendë.
Prandaj investitorët kanë angazhuar ekselencën botërore, në infrastrukturë, në mjedis dhe në aspektin juridik. Kurse ne, administrata shqiptare ka mbrojtur interesat tuaja. Kemi bërë detyrën jo vetëm, procedurialisht, por profesionalisht dhe patriotikisht. Kam parë imazhe të pallatit, kam parë pallate, ku i keni gjetur?! Ato nuk janë pjesë të projektit. U është kthyer mbrapsht projekti i parë, jo se ishte i keq, por ne donim më shumë për ju”, tha Rama.


