Dy anët e medaljes u bënë 1. Kryeministri Edi Rama përshëndeti sqarimin e SPAK në Zvërnec, me zhbllokimin e llogarive të investitorëve nga Katari dhe mbajtjen e ngrira të fondeve për shitësit e pronave. Pra topi është në derën e drejtësisë së re. Protesta nisi për pronësinë, tani sipas Ramës është SPAK që duhet ta mbyllë.
Edi Rama: Në të dyja rastet, rezultati do të jetë i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore, ndërsa nga pikëpamja e pretendimeve do t’i japë fund çdo spekulimi e manipulimi. Në rast se shitësi ka origjinë legjitime, do marrë paratë, në rast se nuk e ka, paratë do i mbeten Republikës së Shqipërisë dhe ato do të përdoren për cilindo që do të provojë se pretendimin mbi pronën e ka të bazuar.
Një ditë më parë, protesta hoqi kërkesën e bllokimit të projektit dhe e zëvendësoi me kërkesa politike. E para dhe e fundit: Rama ik.
Edi Rama: Po, kam një përgjigje. T’i referohen arkivit të gjatë të këtij filmi të vjetër se tanimë këtu s’ka asgjë të re. Koha kur njerëzve u tregohej burgu nëpër rrugë, është një kohë të cilën e kemi lënë shumë pas dhe unë jam njeriu që me krenari kam udhëhequr betejën më të madhe historike të shqiptarëve dhe të Shqipërisë për shqiptarët dhe për të gjithë të tjerët njësoj, duke i hapur rrugë Reformës në Drejtësi, duke i dhënë jetë një strukture e cila është tërësisht e pavarur nga unë dhe e cila bën punën në shërbim të drejtësisë.
Rama thotë se gjithsesi është i hapur për dialog, por jo me retorika të ngjashme si ato të Agimit të Artë.
Edi Rama: Unë nuk flas me të kurdisur e të çartisur. Ata që vijnë me libër shtëpie, si ata çakejtë e Agimit të Artë të Greqisë, ata janë subjekt për Zotin dhe jo për mua. Zoti i faltë, sepse nuk dinë se çfarë bëjnë. Më vjen keq me ata që u shkojnë pas honxhobonxhove të tjerë që janë nëndritarësit profesionistë të Shqipërisë.
E kishte me deputetë të PD apo Agron Shehajn që i janë bashkëngjitur protestës në ditën e dytë. Ditë që koincidoi me spostimin e protestës, nga Zvërneci, te kërkesat politike.
Ndërsa sërish përmendi rëndësinë e madhe të këtij investimi në Shqipëri, Rama këtë herë e konsideroi një luftë hibride, me premtimin se do i vijë fundi shpejt.
Edi Rama: Kjo është një luftë hibride, po nuk ka fare dyshim që kjo luftë do mbarojë.



