Kriza politike në Kosovë po thellohet, ndërsa përpjekjet për konstituimin e Kuvendit vazhdojnë të dështojnë. Analistja Magbule Shkodra, në një intervistë për emisionin “Balkan Update” në ABC News, u shpreh pesimiste për një zgjidhje të shpejtë, duke theksuar se qasja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është e qëllimshme dhe pa vullnet për formimin e qeverisë.
Sipas saj, vonesat sistematike, mungesa e marrëveshjeve dhe moskonstituimi i institucioneve po dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës, veçanërisht në një kontekst të ndjeshëm gjeopolitik dhe në prag të zgjedhjeve lokale.
“Tani na mbetet që të shohim nëse zoti Limaj ka hequr dorë nga pakti i kreut të Kuvendit. Sot ishte tentimi i 50-të, në fakt ne kishim një pritje se do të arrihej një marrëveshje mes tyre, por ja që nuk ndodhi. Duhet që të konstituohet Kuvendi, por unë sot nuk pashë ndonjë lëvizje dhe, me thënë të drejtën, nuk kam shpresa se do të zgjidhet gjë.
Kurti po luan lojëra politike, nuk ka aspak vullnet për krijimin e qeverisë. Kurti këtë zvarritje e ka bërë të qëllimshme sepse nuk është i gatshëm që ta qeverisë vendin në këto kushte gjeopolitike. Duhet të kujtojmë që ai e ka humbur numrin dhe mbështetjen e popullatës vetëm nga kjo zvarritje.
Nga ana tjetër, të mos harrojmë që Serbia, një nga propagandat më të mëdha që bën për Kosovën, është se shqiptarët nuk dinë të bëjnë qeverisje. Zgjedhjet lokale tani janë shumë afër. Tani Kurti, duke qenë në pozitën e kryeministrit, është duke mbajtur dy pozicione, dhe paaftësia e tyre do të ndikojë në zgjedhjet lokale.
Të gjithë e kishim shpresën se VV do të sillte ndryshimin, por kjo krizë tregon se VV dhe Albin Kurti janë të paaftë të qeverisin Kosovën dhe ta çojnë në dyert e BE-së. Fatkeqësisht, në të gjitha ekuacionet e Kurtit nuk është qeverisja e Kosovës dhe qytetarët,” tha analistja./abcnews.al