Zëvendëspresidenti turk, Fuat Oktay deklaroi se presidenti i vendit, Rexhep Tajip Erdogan është në një gjendje “shumë të mirë”.
“Gjendja e presidentit tonë është shumë e mirë. Jemi në kontakt të rregullt. Ai ka një ftohje të lehtë”, tha Oktay, shkruan Tass.
Presidenti turk më herët anuloi të gjitha daljet e tij publike që ishin planifikuar për të mërkurën. Ai anuloi gjithashtu një udhëtim në Mersin që ishte planifikuar për 27 prill, ku do të merrte pjesë në një ceremoni të dorëzimit të karburantit në termocentralin bërthamor Akkuyu.
Erdogan anuloi një intervistë të drejtpërdrejtë që do të kishte me katër kanale televizive turke të enjten. Ai më herët tha se anuloi ngjarjet e tij publike të mërkurën me këshillën e mjekëve të tij dhe do të rikuperohej në shtëpi. Dalja e drejtpërdrejtë e Erdoganit në televizion u shkurtua të martën mbrëma pasi ai u ndje i sëmurë./abcnews.al