Zv. kapiteni i Partizanit luan në derbin ndaj Tiranës

schedule08:37 - 29 Nëntor, 2018

schedule 08:37 - 29 Nëntor, 2018

Partizani pritet të jetë i plotë ndaj Tiranës në derbi. Lorenc Trashi nuk u dënua nga Komisioni i Disiplinës, ndërsa portieri Alban Hoxha besohet të jetë gati për të premten.

Kur skuadrat të dalin në fushë, do të jetë edhe ai. Partizani do ta ketë zv. kapitenin Lorenc Trashi në derbin ndaj Tiranës këtë të premte, ndërsa ka marrë një lajm të mirë nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ndryshe nga nja dy sezone më parë, kur vështirë se kishte dhurata, këtë herë Komisioni i Disiplinës nuk e pezulloi lojtarin e krahut, që pati konflikt të ashpër verbal me një tifoz në stadiumin e Vlorës.

Edhe pse neni 53 i Kodit të Disiplinës parashikon pa ekuivok pezullim prej 2 ndeshjesh dhe 500 000 lekë gjokë, Trashi mori vetëm ndëshkimin financiar. Nuk ndodhi kështu me lojtarin e Erzenit të Shijakut, Jurgen Goxha, i cili u dënua për 2 takime, ndonëse nuk mori gjobë. Klubi shijakas reagoi në faqen e tij në FB duke akuzuar Disiplinën për dy standarde, aq më tepër kur, sipas tij, ndeshja në të cilën u dënua Goxha, ishte pa tifozë.

Partizani, ndërkaq, argumentoi se Trashi u provokua gjatë gjithë ndeshjes nga një person i cili nuk ishte vlonjat, dhe që kishte konflikt personal me lojtarin. Gjithsesi, të kuqtë do të jenë më të plotë ndaj Tiranës, pasi Trashi është një nga futbollistët kryesorë. Besohet se edhe portieri Alban Hoxha pritet të luajë, pasi klubi nuk ka marrë ndonjë masë ndëshkuese ndaj tij, pas ndalimit nga policia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!