Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar se ka përmbyllur paraqitjen e provave në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë më 3 prill 2023. ZPS tha se në sallën e gjyqit thirri për të dëshmuar 125 dëshmitarë, paraqiti rreth 3.000 prova materiale dhe deri më tani ka bërë 1.430 parashtresa për këtë rast gjyqësor.