Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev tha se partia e tij socialdemokrate LSDM, kërkon ndryshimin e modelit zgjedhor para zgjedhjeve të 12 prillit të vitit të ardhshëm.
Zaev u tha gazetarëve në Shkup se partia e tij, edhe në programin e vet zgjedhor, ka deklaruar se angazhohet për zgjedhje më një njësi zgjedhore dhe vazhdon ti ruajë këto qëndrime.
Zaev tha se shpreson që të ketë konsensus që vendi të ketë vetëm një njësi zgjedhore, megjithatë theksoi se në çdo rast, deputetët e tij do të votojnë për ndryshimin e modelit zgjedhor.
“Shpresoj që të ketë konsensus. Kjo është pjesë e programit tonë zgjedhor, dhe jo vetëm kaq, po ne besojmë në të. Do të fitojë demokracia, shteti. Nëse shkohet në votim për këtë në parlament, shpresojmë se do të jetë me konsensus, nëse nuk arrihet konsensus, social-demokratët do të votojnë për ndryshimin e modelit zgjedhor“, ka thënë Zaev./abcnews.al