Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, u shpreh se Holanda dhe Franca kanë më shumë rezerva për nisjen e negociatave me Shqipërinë.
Sipas tij Gjermania i frikësohet kërcënimeve të palës shqiptare se vendimi mund të ndikojë për jo stabilitet në rajon, sidomos në Kosovë. Zaev theksoi se këto vende mendojnë se nëse i hapin negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe lihet jashtë Shqipëria, do të krijohet problem dhe mund të ndikojë te Kosova.
“Gjermanët frikësohen nga kërcënimet e mikut tim Edi Rama për ndryshime të mundshme të kufijve ose bashkimit me Kosovën, por unë nuk besoj në këto punë, pasi kjo do të thotë kthim prapa për 10 vjet për Shqipërinë. Ndërsa një gjë të tillë nuk e dëshiron askush”, tha mes tjerash Zaev./ABC News Albania 24/7