“Zonja” Alibeaj do gjykojë Berishën, Kushtetuesja rrëzon kërkesën e kreut të PD për përjashtimin e gjyqtares

schedule15:34 - 6 Nëntor, 2024

schedule 15:34 - 6 Nëntor, 2024

Tentativa në Gjykatën Kushtetuese e Sali Berishës për ta larguar gjyqtaren Marsida Xhaferllari nga gjykimi i çështjes së tij, ka dështuar.

Këtë të mërkurë trupa e gjyqtarëve Kushtetues, me shumicë votash ka vendosur ta rrëzojë kërkesën e Berishës, për ta përjashtuar gjyqtaren Xhaferllari, nga seanca e 19 nëntorit, kur kjo gjykatë do të shqyrtojë padinë e tij, për masën e “detyrimit me paraqitje”, që ai vendosi mos ta zbatojë.

Për Berishën gjyqtarja Xhaferllari ishte në konflikt interesi me çështjen e tij pasi ajo është bashkëjetuesja e Enkelejd Alibajt, si një demokrat që ka rrugën e ndarë dukshëm nga ish-kryeministri.

Por argumenti i Berishës nuk ka bindur trupën e gjyqtarëve, që i vlerësuan pretendimet e kreut të PD-së, si të pabazuara dhe të paprovuara.

Megjithatë Berisha do të duhet të pranojë vendimin edhe të Xhaferllarit, në momentin që gjyqtarja, së bashku me 7 kolegët e saj, do të shqyrtojnë dhe do të vendosin fatin e Berishës, jo shumë larg zgjedhjeve të pranverës.

Kërkesa e Berishës, nëse do të shihej e arsyeshme,  do të conte në tkurrje të trupës së gjyqtarëve, pas vakancës ende të plotësuar, të lënë nga Elsa Toska.

Aktualisht kjo gjykatë ka në përbërje të saj 8 gjyqtarë dhe Berisha do të fitonte vetëm nëse 5 prej tyre gjykojnë njësoj si ai, që masa me detyrim paraqitjeje, e dhënë në tetor të vitit 2023, nga Gjykata e Posacmë është anti-kushtetuese.

Berisha ka provuar të gjitha shkallët, Apelin e Posaçëm dhe Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, shkallë në të cilat nuk fitoi lirinë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!