Sheshi “Skënderbej” dhe Pazari i Ri në Tiranë do të lidhen me njëri- tjetrin përmes një zone tregtare. Kjo do të jetë rruga “Luigj Gurakuqi”. Drejtori i Urbanistikës në bashki tregon në të dy anët e rrugës do të eleminohen korsitë e parkimit dhe do të shtohen hapësirat për biçikleta dhe këmbësoret.
“Nuk do ketë as zvogëlim korsish, as eleminim korsish përsa i përket lëvizshmërisë së makinave. Dy korsitë e parkimit duam t’i zëvendësojmë me dy korsi biçikletash dhe me trotuare më të gjëra. Duam që të rivitalizojmë hapësirën përballë trotuareve me qëllim që rruga përballë kolonave, rruga “Luigj Gurakuqi” të ketë akses në rrugë. Një ndërhyrje relativisht e lehtë nga ana infrastrukturore pra do punojmë me shtresat për të bërë një hapësirë mjaft organike që lidh një hapësirë pedonale si sheshi drejt tregut me një rrugë komerciale”, u shpreh Ditjon Baboçi, drejtori i Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës.
Materialet që do të përdoren do të jenë të ngjashme me ato në sheshin “Skënderbej” ndërkohë që është planifikuar edhe shtimi i gjelbërimit. Njëkohësisht urbanistët në bashki po punojnë edhe për projektin që do të lidhë sheshin “Skënderbej” me bulevardin “Zogu i Parë”.
“Qëllimi dhe aty është i ngjashëm, pra ndërhyrje në fasadë, ndërhyrje të lehta i korsive të biçikletave që janë tashmë ekzistuese por ndërlidhje e tyre më e mirë, përmirësim i hapësirës së trotuareve, duke eleminuar përsëri korsitë e parkimit të makinave edhe në këtë hapësirë dhe duke e ndërlidhur më mirë shehsin “Skënderbej” me Bulevardin e Ri”, tha Baboçi.
Hartimi i projektit tregon drejtori i Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës është në fazat e fundit dhe me fillimin e vitit të ardhshëm do të nis zbatimi i tij në terren./abcnews.al