Legjenda e Italisë, Dino Zoff, deklaron se Maradona është lojtari më i madh i të gjithë kohërave. Ish-portieri i kombëtares italiane bën dhe një krahasim të të ndjerit me Pelen si dhe tregon se ai ka qenë një problem i pazgjidhshëm për portierët.
“Maradona është lojtari më i madh i të gjithë kohërave, artisti më i paharrueshëm. Gjithmonë i kam zili artistët, sepse ata krijojnë. Unë kam qenë portier, kështu që detyra ime ishte të mos e lejoja atë krijmtari të realizohej.
Një artist nuk sillet si një njeri i thjeshtë dhe Diego është më i madhi që kam parë ndonjëherë në një fushë futbolli. Pele mund të ketë qenë një lojtar më i plotë, por nuk ishte aq krijues. Pele ishte i madh, por nuk është Diego”, deklaron italiani për “La Republicca”.
“Ai ishte një problem që nuk kishte zgjidhje për portierët. Miku im Luciano Castellini, i cili ishte shoku skuadre me Diegon te Napoli, më tregonte se Maradona do të arrinte në zonë duke mashtruar me topin në këmbë dhe më pas godiste aq fort në shenjestër. Shokët e tij të skuadrës e donin atë, pasi ai iu jepte atyre besim. Ata mund të rrinin në fushë, pasi Diego do t’i dërgonte ata tek fitorja”, përfundon Zoff. /abcnews.al