Policia zbuloi dhe arrestoi të mërkurën katër persona që ndezën zjarr në Parkun Kombëtar të Vjosës, në Lushnje, në Memaliaj dhe në Krujë.
Shezai Banaj nga fshati Cakran u arrestua për shkatërrim të pronës me zjarr dhe dëmtim I habitatit të zonave të mbrojtura. 61 vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në luginën e lumit Vjosa, në vendin e quajtur Mezarak. Flakët u përhapën dhe dogjën një sipërfaqe të konsiderueshme toke, 300 pemë ullinj dhe bimë të ndryshme të parkut .
Ndërsa në Lushnje policia arrestoi Arjan Kaja. Kaja dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në fshatin Dushk, ku si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe toke. Gjithashtu 58 vjeçari ka penguar zjarrfikësit për të shuar flakët. Mbi Kajan rëndon akuza e shkatërrimit të pronës me zjarr dhe kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik.
Ndërkohë policia ka arrestuar dhe 62 vjeçarin Bashkim Lika për të cilin thotë se I ka vënë zjarrin një zonë te pyllëzuar në fshatin Iliras. Flakët u përhapën në fshatin Koshtan ku u dogjë tre shtëpi të pabanuara, 400 pemë frutore dhe një sipërfaqe me pyje.
Ndërsa në Krujë për zjarrvënie policia vuri në pranga një 19 vjeçar. Endri Doku banor I fshatit Barkanesh aktualisht me masë sigurie arrest në shtëpi për kultivim të bimëve narkotike i vuri flakën tokës së fshinjit për shkak të një konflikti për motive pronësie. Nga përhapja e flakëve në territorin e fshatit u dogj një sipërfaqe toke me të mbjella dhe ullinj.
Policia paralajmëron qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me pasoja penale. Ndërkohë I fton të denoncojnë çdo rast dhe iu garanton anonimatin./abcnews.al

