Zjarri në QSUT/ Ministrja Koçiu: Zhurma u bë nga politika, u përdor shëndetësia

schedule20:33 - 7 Maj, 2024

schedule 20:33 - 7 Maj, 2024

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, gjatë intervistës në emisionin “Real Story” në ABC News, foli edhe për zjarrin në QSUT gjatë muajit shkurt.

Ajo u shpreh se në lidhje me incidentin, zhurma u bë më shumë politike dhe se në këtë rast shëndetësia u përdor.

Sakaq ajo theksoi se janë marrë të gjitha masat për të ofruar shërbimin shëndetësor që zhvillohej në këto ambiente brenda godinës së spitalit të sëmundjeve të brendshme, ndërsa theksoi se vetëm urgjencat kardiake ende sot nuk kryhen në QSUT, ndërkohë që gjithë shërbimet e tjera janë rikthyer dhe funksionojnë brenda QSUT.

Ju sapo erdhët bëtë disa ndryshim, ajo që ndodhi në QSUT ishte një shqetësim i madh, a ka filluar puna?

Koçiu: Puna ka filluar, ka filluar në mes të muajit prill dhe do përfundojë brenda muajit maj. Ishte një incident që ndodhi në një nga dhomat teknike të spitalit të sëmundjeve të brendshme në katin -2. Për shkak të këtij difekti teknik doli jashtë funksionimit një pjesë e sistemit elektrik në atë godinë duke bërë të pamundur të ushtrohen disa nga shërbimet në disa nga dhomat e godinës.

Zhurma u bë më shumë politike, dhe të vjen keq që përdoret shëndetësia për të bërë zhurmë politike. Kemi marrë të gjitha masat për të ofruar shërbimin shëndetësor që zhvillohej në këto ambiente brenda godinës së spitalit të sëmundjeve të brendshme urgjencës së spitalit qendror. U aktivizuan menjëherë të dy strukturat spitalore universitare në Tiranë, që ishte qendra spitalore universitare Shefqet Ndroqi dhe qendra spitalore universitare e Traumës, sikundër për urgjencat kardiake u aktivizuan edhe dy spitale të tjera rajonale, në Shkodër dhe Fier. Që tregoi edhe një herë e më shumë që spitalet tona sot janë në gjendje të përballojnë dhe të kryejnë ekzaminime të cilat deri dje do ishin të paimagjinueshme do ta sillnin gjithë sistemin shëndetësor, nëse do kishte ndodhur, në kolaps. Por jo, sepse sot falë investimeve që janë kryer edhe spitali rajonal i Shkodrës edhe spitali memorial i Fierit mund të shërbejnë fare mirë si urgjenca kardiake. Mund të ekzaminohen të gjithë qytetarët e veriut sikundër edhe gjithë qytetarët e zonës së jug në Fier dhe ndërkohë të funksionojnë më së mirë kapacitetet në spitalin Shefqet Ndroqi që e përballoi fare mirë fluksin e pacientëve që u detyruan të transferoheshin për shkak të incidentit të ndodhur në këtë spital. Sot që flasim kemi një ritëm të shtuar të punës për ta sjellë në funksionim normal urgjencën në QSUT, dhe ndërkohë kemi mbështetur me kapacitete spitalin Shefqet Ndroqi për të kryer vetëm urgjencat kardiake që ende sot nuk kryhen në QSUT, ndërkohë që gjithë shërbimet e tjera janë rikthyer dhe funksionojnë brenda QSUT. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!