Zjarri në Mamurras, banori: S’ka ardhur nga perëndia, ka ardhur nga robi, rrezikohen 5 banesa, duhet roje

schedule18:44 - 1 Gusht, 2021

schedule 18:44 - 1 Gusht, 2021

Hysni Bici, i cili posedon një sipërfaqe toke në lagjen “Demokracia” në Mamurras ku prej disa orësh po vijon beteja me flakët, shprehet se zjarri është i qëllimshëm.

Ai deklaroi se si pasojë e flakëve rrezikohen më shumë se 5 banesa, ndërsa kërkoi që në rast se nuk fiket, atëherë duhet të qëndrojë një roje ose forcat zjarrfikëse në zonë gjatë natës për të sinjalizuar dhe evakuuar banorët në rast rreziku.

“Kanë ardhur dy zjarrfikëse. Kanë ndejtur një kohë të caktuar. Nuk kanë pasur mundësi me u ngjitur. Rrezikohen më shumë se 5 banesa. Nata mund të jetë e rrezikshme sepse pylli është i lidhur direkt me banesat. Këtu janë më shumë invalidë. Nëse zjarri nuk shuhet të ketë një roje ose të vijë zjarrfikësja të rrijë afër shtëpive.

Zjarri ka rënë rreth orës 12:00 të ditës së sotme. Mendoj se është i qëllimshëm. Nuk është zjarr që ka ardhur nga perëndia. Ka ardh nga robi. A ka qenë me cigare a me zjarrvënie nuk mund ta përcaktoj. Unë mendoj se ka rrezik banesat, të paktën katër banesat këtu dhe dy banesa nga krahu matanë. Zjarrfikësit kanë ardhur dhe kanë lëvizur nga ana tjetër”, shprehet ai. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!