Zjarri në magazinën ku vdiq Arjan Sala, dosja referohet për shkatërrim prone nga pakujdesia

schedule19:44 - 30 Mars, 2021

schedule 19:44 - 30 Mars, 2021

Nga Ermal Vija

Kur kanë kaluar 6 ditë nga zjarri që përfshiu magazinën e një qendre tregtare pranë mbi kalimit të Kamzës, ende nuk ka një konkluzion që përcakton shkaktarin e rënies së zjarrit. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se janë duke u pritur përgjigje të disa ekspertizave që janë mbledhur si prova në vendin e ngjarjes. Gjithashtu nga informacionet e siguruara hetuesit kanë të dhëna se magazina ka qenë e përshtatur pasi më herët ka shërbyer si parking për qendrën tregtare. Një nga përgjigjet që presin hetuesit nga ekspertët është përcaktimi nëse kanë qenë funksionale pajisjet anti-zjarr.

Dosja është referuar për veprën penale të shkatërrimit të pronës nga pakujdesia.

Personat e parë që kanë konstatuar zjarrin kanë qenë dy punonjës të qendrës tregtare që po shkarkonin dhe po sistemonin mallin në magazinën, që u përfshi nga flakët. Ata kanë treguar se, fillimisht kanë parë tym që dilte nga dritaret nën tokësore dhe më pas kanë tentuar të fikin zjarrin me bombola me shkumë.

Për shkak të sasisë së madhe të tymit dhe flakëve nuk e kanë menaxhuar dot situatën dhe janë larguar. Referuar dëshmisë së tyre në këtë moment ata kanë vënë re një person i cili ka hyrë me shpejtësi në ambientet e brendshme të magazinës me një bombol zjarrfikëse në dorë. Ky person që shfaqet dhe në këtë kamer, është i ndjeri Arjan Sala, i cili nuk ka mundur dot të dalë. /abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!