Zjarri në fabrikën e peshkut, prefekti i Lezhës: Katër veta panë një vatër tymi, flakët vetëm në magazinë

schedule09:52 - 18 Shkurt, 2022

schedule 09:52 - 18 Shkurt, 2022

Prefekti i Lezhës Gjok Jaku ka folur për mediat në lidhje me zjarrin që përfshiu mëngjesin e sotëm një magazinë në një fabrikë peshku në Lezhë. Ai thotë se zjarri ka qenë vetëm në kufijtë e magazinës për fat të mirë pa u përhapur në pjesën tjetër të këtij biznesi. Shkak i tymit të madh janë bërë materialet që ndodheshin në këtë magazinë, kryesisht plastikë.

“Besoj se në këto momente që flasim vatra e zjarrit në magazinën kryesore është e izoluar. Zjarrfikëset janë vendosur në të gjithë perimetrin e magazinës. Thuhet me siguri që perimetri është i sigurt. Magazina kryesore është e gjitha e djegur. brenda ka pasur material ambalazhimi, plastikë kryesisht”, tha Jaku.

Lexo edhe: Në betejë me flakët në fabrikën e peshkut, zjarrfikësi bllokohet nga tymi, dërgohet në spital

Ai u shpreh se kanë ardhur forca të mëdha zjarrfikëse nga Shkodra, Mirdita dhe Kurbini ndërsa për fat të mirë flakët janë përhapur në një orë kur punonjësit nuk kanë qenë në punë.

“Forca të mëdha zjarrfikëse kanë ardhur edhe nga Shkodra, Mirdita, Kurbini. Një numër i madh që në këtë moment besojmë fort që zjarri nuk do kalojë përmasat e magazinës. Komunikova me njeriun e parë që ka hapur magazinën.

Kanë qenë katër veta që kanë parë një vatër tymi dhe një kërcitje si shkëndijë elektrike që pastaj ka përhapur shumë tym. Njerëzit menjëherë kanë dalë jashtë. Ka qenë ora 6 e mëngjesit dhe akoma nuk kanë qenë në punë punonjësit e fabrikës. Fakti që nuk kemi dëme më njerëz është gjëja më e mirë. Biznesi ka qenë i siguruar”, deklaroi ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!