Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Zjarri masiv në Hong Kong/ Shkon në 55 numri i të vdekurve, qindra të zhdukur

schedule15:22 - 27 Nëntor, 2025

schedule 15:22 - 27 Nëntor, 2025

Një zjarr shkatërrues përfshiu disa ndërtesa të larta në Hong Kong, duke vrarë të paktën 55 persona, ngjarja më vdekjeprurëse e këtij lloji në mbi 60 vjet. Mbi 270 persona raportohen të zhdukur, ndërsa mijëra banorë janë strehuar në qendrat e evakuimit.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë disa pallate të mbuluara nga flakët dhe re të dendura tymi që pushtuan qiellin e qytetit. Edhe pas rënies së natës, zjarri vijonte të digjej, me mbi 760 zjarrfikës të angazhuar në operacion.

Sipas mediave lokale, tre persona janë arrestuar për vrasje nga pakujdesia në lidhje me zjarrin, ndërsa ka nisur një hetim i gjerë. Presidenti kinez, Xi Jinping, shprehu ngushëllimet për viktimat, përfshirë një zjarrfikës që humbi jetën në detyrë.

Flakët shpërthyen të mërkurën në orën 14:51, me orën lokale në Wang Fuk Court, një kompleks i madh banimi në distriktin Tai Po. Ky kompleks përbëhet nga tetë pallate me 31 kate secili, nga të cilat shtatë u përfshinë nga zjarri, tha këshilltarja lokale Mui Siu-fung për BBC.

Ndërtesat, të ndërtuara në vitin 1983, ishin në proces rinovimi dhe ishin të mbuluara me skela bambuje dhe rrjeta ndërtimi, detaj që dyshohet se ndihmoi përhapjen e shpejtë të flakëve. Ka raportime se alarmet e zjarrit nuk kanë funksionuar.

Hetimet paraprake tregojnë se përhapja e flakëve ka qenë “jonormale”, duke qenë se rreth dritareve ishte përdorur polesterol, material tepër i ndezshëm.

Zjarrfikësit e klasifikuan incidentin si një zjarr të nivelit pesë, më i larti në Hong Kong. Brenda 40 minutash ai u shpall zjarr i nivelit katër, dhe pas disa orësh u ngrit sërish në nivelin maksimal. Është hera e parë pas 17 vitesh që Hong Kongu përballet me një zjarr të kësaj shkalle. Mediat raportuan shpërthime brenda ndërtesave dhe vështirësi për të arritur në katet e sipërme për shkak të intensitetit të flakëve.

Zv/ drejtori i shërbimit të zjarrfikësve, Derek Armstrong Chan, tha se “nxehtësia ekstreme pengon hyrjen në ndërtesa”. Sipas tij, skelat dhe mbeturinat që bien nga lart rrezikouan ekipet në terren. Në operacion u angazhuan 767 zjarrfikës, 128 makina zjarrfikëse, 57 autoambulanca dhe rreth 400 policë.

Bilanci i viktimave u rrit shpejt gjatë orëve të para të mëngjesit së enjtes, nga 13 në 36, e më pas në 44. 45 persona janë në gjendje kritike në spital. Ndërkohë, 279 persona rezultojnë të zhdukur.

Në mesin e viktimave është zjarrfikësi 37-vjeçar Ho Wai-ho, i cili humbi kontaktin me ekipin e tij rreth orës 15:30 dhe u gjet i rrëzuar më pas. Ai u shpall i vdekur në spital. Të paktën një zjarrfikës tjetër raportohet i plagosur.

Sa i përket të arrestuarve bëhet fjalë për tre burra të moshës 52–68 vjeç. Dy prej tyre janë drejtues të një kompanie ndërtimi, ndërsa i treti është konsulent inxhinierik.

Policia thotë se tek ndërtesat u gjetën materiale mbrojtëse jo rezistente ndaj zjarrit, përfshirë edhe polesterolin rreth dritareve, ndërsa skelat e bambusë, tradicionalisht të përdorura në Hong Kong, mund të kenë ndihmuar përhapjen e flakëve në ndërtesat fqinje.

Në vitet e fundit, autoritetet kanë shtuar përpjekjet për të kufizuar përdorimin e skelave të bambusë për shkak të rrezikut të lartë të ndezshmërisë. Shkaku i saktë i zjarrit mbetet ende i paqartë, por hetimet vijojnë ndërsa qyteti përballet me një nga tragjeditë më të rënda në historinë e tij moderne.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!